Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në ditën e dytë të 28-vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Ajo është shprehur se në Prekazi simbolizon sakrificën për lirinë dhe përkujtim se liria është amanet që duhet të ruhet në çdo moment.
“Në këtë Epope të UÇK-së, sërish kthehemi në Prekaz. Në vendin që simbolizon një sakrificë të papërsëritshme për lirinë tonë. Në vendin që simbolizon rrugëtimin më të pastër, përplot me sakrifica, në mënyrë që sot ne ta kemi shtetin, dhe në vendin që mbetet udhërrëfyes për rrugën tonë përpara. Sa herë që vijmë në Prekaz, natyrisht që dhimbja është e madhe për të gjithë ato jetë të humbura, sepse siç e dini, përveç sakrificës së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të gjithë atyre që luftuan bashkë me të, përfshirë familjarët e tij dhe bashkëluftëtarë të tjerë, këtu u vranë edhe shumë gra e fëmijë. Ata fëmijë të familjes Jashari nëpërmjet gjakut të tyre të njomë, e shtruan përpara rrugën e lirisë dhe i bënë themelet e shtetit tonë më të forta se ç’mund të paramendohej”, tha ajo para gazetarëve.
“Dhe shpresoj shumë që çdo herë që dikush mund të ketë ndonjë dyshim se cila duhet të jetë rruga përpara, të mendojë sakrificën e pikërisht atyre fëmijëve. Fëmijëve të familjes Jashari dhe fëmijëve anë e kënd Kosovës, të cilët u sakrifikuan në mënyrë që ne sot të jetojmë të lirë. Prekazi gjithnjë na përkujton se liria është amanet, dhe këtë amanet duhet ta ruajmë me çdo kusht, në çdo moment, dhe pikërisht kjo na frymëzon në rrugën që e kemi përpara. Ju faleminderit shumë të gjithëve”, tha Osmani.
