Lajme

Voca zbërthen prapaskenat e politikës së jashtme: Pozicioni i Kosovës nën presionin e fuqive të mëdha

Tensionet ndërkombëtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Evropës kanë arritur kulmin me përplasjet rreth situatës në Iran. Ndërsa SHBA dhe Bashkimi Evropian po shfaqin dallime të thella në prioritetet dhe qasjet e tyre, shtetet si Kosova përballen me pyetje të vështira strategjike.

A mund të qëndrojë Kosova neutral ose duhet të zgjedhë mes fuqive të mëdha? Në këtë kontekst, lind nevoja për të shqyrtuar se si vendi ynë mund të ruajë stabilitetin politik dhe interesat e veta, duke vendosur në mënyrë të mençur mes mbështetjes në aleatet kryesorë.

E për këtë temë, për “Bota sot” foli doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.

Fillimisht, ai u shpreh se tensionet SHBA-BE ndikojnë në politikën e jashtme të vendit tonë, ku rrjedhimisht mund të krijojnë situata komplekse.

Megjithatë, ai vlerëson se Kosova nuk duhet të vendoset para një zgjedhjeje mes SHBA apo BE.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe gjeopolitikës, si dhe ligjërues në Universitetin e Hamburgut, Mirsad Voca.

“Tensionet në rritje mes SHBA dhe Bashkimin evropian krijojnë një kontekst më kompleks për politikën e jashtme të Kosovës. Për një shtet të vogël dhe në proces konsolidimi ndërkombëtar, kjo nuk është një situatë ku mund të luhet me balanca të paqarta apo me improvizime diplomatike.

Kosova nuk duhet të vendoset në një pozitë « zgjedhjeje » mes SHBA-së dhe BE-së, sepse interesi strategjik i saj është që të mbajë dhe të forcojë marrëdhëniet me të dyja palët. Megjithatë, historikisht dhe në aspektin e sigurisë, raporti me SHBA-në mbetet themelor dhe i pazëvendësueshëm”, shtjelloi ai.

Krahas kësaj, Voca potencoi rëndësinë e bashkëpunimit me SHBA-në dhe rrjedhimisht vlerëson se çdo dobësim i raporteve do ishte problematikë.

“Në këtë kuadër, çdo dobësim i komunikimit apo i besimit me SHBA-në është problematik. Ka pasur perceptime dhe kritika te forta për mungesë koordinimi dhe konsistence në komunikim nga ana e qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, çka mund të ketë ndikuar në një qasje më të rezervuar nga partnerët amerikanë.

Në të njëjtën kohë, roli i Vjosa Osmani ka qenë i rëndësishëm në ruajtjen e balancës dhe në përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Një vakum i mundshëm në këtë drejtim në të ardhmen do të krijonte pasiguri shtesë për orientimin e politikës së jashtme”.

Ndër të tjera, ai kërkoi nga Kosova, fokus në politikë të jashtme dhe koordinim të madh me aleatët tanë kryesor.

“Në një kontekst të tillë, Kosovës i duhet më shumë se kurrë një politikë e jashtme koherente, e parashikueshme dhe e koordinuar ngushtë me aleatët kryesorë. Çdo devijim nga kjo linjë rrit rrezikun e izolimit diplomatik dhe dobëson pozicionin strategjik të vendit”, përmbylli Mirsad Voca për “Bota sot”.

Të Ngjashme