Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Von der Leyen mbërrin në Tiranë

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë mëngjesin e sotëm, ndërsa është pritur në aeroport nga ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato.

Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, ceremonia e mirëseardhjes për presidenten von der Leyen do të mbahet në orën 09:50 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në orën 10:00, bëhet e ditur se kreu i qeverisë dhe presidentja e KE-së do të zhvillojnë një takim kokë më kokë në ambientet e Kryeministrisë. Pas takimit dypalësh, do të mbahet një takim bilateral mes delegacioneve të të dyja palëve.

Në orën 11:15, kryeministri Edi Rama dhe presidentja Ursula von der Leyen do të dalin në një konferencë të përbashkët për shtyp në Kryeministri, ku pritet të japin detaje rreth temave të diskutuara.

Pasditen e kësaj të hëne, Von der Leyen do të mbajë një fjalim në Konferencën Rajonale të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, përpara se të udhëtojë për në Tivat të Malit të Zi, më pas në Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi, Prishtinë dhe në Shkup.

Vizita e Presidentes së KE-së vjen në një moment kyç për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, sa i përket hapjes së grupkapitujve me Bashkimin Evropian.

Muajin e kaluar, në Bruksel në Konferencën e 6-të ndërqeveritare me Bashkimin Evropian, (16 shtator) Shqipëria çeli 4 kapituj të grupkapitullit “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”, duke e çuar në 24 numrin e grupkapitujve të hapur brenda 11 muajsh./rtsh.al/