Lajme

Votëbesimi ndaj Abdixhikut, Salihaj paralajmëron zinxhir dorëheqjesh pas Kuvendit të LDK-së

 
   

Lumir Abdixhiku u konfirmua sërish si kryetar, pas një fitoreje me diferencë prej rreth 30 votash.

Abdixhiku u shpreh se nuk ka vend për triumfalizëm, por për reflektim dhe maturi, duke nënvizuar rëndësinë e unitetit dhe angazhimit të përbashkët për të çuar përpara partinë.

“Sot nuk kemi arsye për triumf, por për vetëdije. Krenarë për standardin që ruajtëm dhe për vlerën që përfaqësojmë. Tani na duhet maturi. Bashkim jo nga nevoja, por nga bindja. Dëgjim jo për formë, por për kuptim. Punë e madhe, e përbashkët, me përulësinë që e ka mbajtur gjithmonë LDK-në në këmbë në momentet më të vështira të saj.”

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike, Adem Salihaj, në një prononcim për “Bota sot”, tha se Kuvendi i partisë nuk solli stabilitet dhe se situata vetëm sa do të përkeqësohet.

“Epilogu i Kuvendit të LDK-së nuk i dha zgjidhje situatës, kështu që asnjë lloj stabiliteti nuk pritet. Do të ndodhë e kundërta. Lumir Abdixhiku bëri atë që paralajmëroi dhe që pritej.

Ai gjeti një mënyrë jo të rregullt në aspektin statutar për të mbetur në këtë pozitë, sepse nuk ka dispozitë statutare që thotë se dorëheqja votohet. Ka votëbesim ose shkarkim, por jo votim të dorëheqjes”, tha ai.

Salihaj u shpreh se me përfundimin e Kuvendit, ka mbaruar edhe shpresa për ringjalljen e LDK-së.

Sipas tij, me Lumir Abdixhikun partia do të vazhdojë rrugën teposhtë, ndërsa një zinxhir dorëheqjesh dhe efektet negative tashmë kanë filluar.

“Megjithatë, tash jemi para aktit të përfunduar. Bashkë me përfundimin e këtij Kuvendi, përfundoi edhe shpresa se LDK do të gjente rrugë për ringjallje.

Me Lumirin erdhi deri te 13 %, me Lumirin vetëm do të vazhdojë ky rrugëtim teposhtë. Thonë se në politikë nuk ka moral. Por, jo deri në këtë masë. Tashmë kemi një zingjir dorëheqjesh, të cilat, siç duket, do të vazhdojnë. Pra, efektet negative dhe pasojat erdhën menjëherë” – deklaron Adem Salihaj.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme