
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) do të procedojë nesër, më 12 maj, në Gjykatën Kushtetuese, vendimin lidhur me ndryshimin e votimit për zgjedhjen e kryeparlamentarit nga i hapur në të fshehtë.
Përkundër që Kuvendi s’po ka kuorum për zgjedhjen e komisionit verifikues që do të niste procedurat për votimin e fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se vetëm ndryshimi i formës së votimit nga ana e kryesuesit të seancës, Avni Dehari është shkelje kushtetuese dhe ligjore.
Kadrijaj: Votimi i fshehtë, nesër do të procedojmë në Gjykatë Kushtetuese
“Ne kemi mbledhur nënshkrimet që janë të nevojshme, ku nevojiten dhjetë nënshkrime. Nesër do të procedojmë në Gjykatën Kushtetuese. Jemi në përfundim të hartimit dhe besoj se nesër në ora 11:00 do të procedojmë në Gjykatën Kushtetuese. Është shkelje e procedurave, ligjore dhe Kushtetuese që në mes të votimeve pa pasur vota dhe një mocion e ka ndryshuar formën e votimit prej të hapur në të mbyllur”, tha Kadrijaj.
Sa i përket deklaratës së kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, se në Kosovë s’ka krizë institucionale, por “një vakum kushtetues”, ajo tha se njëjta nuk qëndron pasi Kosova është në një krizë politike.
Kadrijaj: Kosova është në krizë politike
“Ka ngërç politik. Duhet të angazhohen ata që të sigurojnë numrat dhe të kalojë kryeparlamentarja dhe të procedohet më tutje për zgjedhjen qeverisë”, tha ajo.
Ajo u shpreh kritik ndaj LVV-së dhe partnerëve të koalicionit të tyre – Guxo dhe Alternativa.
Madje sipas saj, eksponentët politikë të këtyre dy partive të fundit janë bërë si “masha të LVV-së, derisa kuadro puro politik të LVV-së po rrinë në heshtje dhe komod”.
Kadrijaj: Guxo dhe Alternativa janë bërë masha të LVV-së
“Aq shumë u thirrën në Kushtetutë, ndërkaq janë shkelësit më të mëdhenj të Kushtetutës. Veç eksploroni dhe shihni sa ligje i kanë miratuar në Kuvendin e Kosovës që kanë qenë antikushtetuese. Po më vjen mirë që Lëvizja Vetëvendosje po i përdorë këto mashat e veta që të dalë dhe të prononcohet këto ditë. Asnjëherë s’po shoh ndonjë oponentë puro e LVV-së të dalin dhe dekorohen. Ata po rrinë në heshtje dhe po rrinë komod”, theksoi Kadrijaj.