
Partitë e komuniteteve joserbe kanë propozuar emrat e tre deputetëve për nënkryetarë të Kuvendit, në periudha të ndryshme kohore. Deputeti Elbert Krasniqi ka propozuar deputeten nga radhët e komunitetit boshnjak Emilja Rexhepi për nënkryetare, pastaj përmes rotacionit, e njëjta t’i lëshoi rrugë deputetëve Fidan Zhillta dhe Artan Asllani.
Po ashtu, Krasniqi propozoi që votimi për dy nënkryetarët nga komunitetet joshumicë të bëhet ndaras nga komuniteti serb.
Në anën tjetër, Lista Serbe, propozoi deputetin Sllvako Simiq për nënkryetar, kurse deputeti tjetër nga komuniteti serb, Nenad Rashiq propozoi vetën për nënkryetar.
Duke marrë parasysh që nuk pati konsensus se a duhet të ketë votim në pako për dy nënkryetarët nga radhët e komuniteteve, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha vendosi që zgjedhja e nënkryetarëve të bëhet ndaras.
Basha: Zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë të bëhet ndaras
“Ka mos pajtueshmëri që të vazhdohet në votimin në pako. Si kryetar i Kuvendit propozoj që votimi për komunitetet joshumicë të bëhet veç e veç. Prandaj lus deputetët që me ngritje dorë që të deklarohen për kandidatin e propozuar për nënkryetarë të Kuvendit nga radhët e komunitetet jo serbe”, tha ai.
Deputeti nga komuniteti egjiptian, Elbert Krasniqi, e pa të arsyeshme që votimi për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë të bëhet ndaras.
Krasniqi: Votimi për nënkryetarët nga radhët e komuniteteve joshumicë të bëhet ndaras
“Ne deputetët nga komunitetet jo shumicë joserb për nënkryetar të Kuvendit të Kosovës propozojmë me rotacion deputetët si në vijim, Emilja Rexhepi, propozohet nënkryetare, pastaj deputetja Fidan Zhillta, deputeti, Artan Asllani deri në përfundim të mandatit. Njëkohësisht kërkojmë që votimi për nënkryetarin nga komunitetet jo serbe jo shumicë të bëhet ndaras nga nënkryetari tjetër serb”, tha ai.
Ndërkaq, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq, propozoi kolegun e tij partiak, Sllavko Simiq për nënkryetar.
Fjalën e mori edhe deputeti tjetër nga radhët e komunitetit serb, por jo nga Lista Serbe, Nenad Rashiq, i cili propozoi vetën për nënkryetar.
Rashiq: Propozoj vetën për nënkryetar
“Siç thotë neni 67 i Kushtetutës, dy nënkryetarë paraqesin komunitetet që spërbëjnë shumicën në Kuvend dhe ata zgjidhen me shumicën. Unë kurrë s’e kam propozuar veten, por një arsye të vetme pse e propozoj veten është që në dy mandatet e fundit s’kemi pasur përfaqësim adekuat. Kjo më bën të propozoj veten për nënkryetar të Kuvendit”, tha ai.