Aktuale

“Vranësirat dhe reshjet vazhdojnë”/ Si do të jetë moti në prill? Meteorologia na ‘paralajmëron’ kur vjen pranvera

Kjo javë ka nisur me mot të paqëndrueshëm dhe kështu pritet të vijojë në ditët në vijim. Sipas meteorologes Rezarta Xhakollari, gjatë ditës së martë priten vranësira dhe reshje shiu me intensitet të ulët që nisin nga jugu, ndërsa të mërkurën reshjet intensifikohen dhe në zonat malore në verilindje e juglindje pritet edhe dëborë mbi 1000 metra. Gjatë një interviste televizive, Xhakollari tha se temperaturat do të mbeten të ulëta për këtë periudhë për shkak të ajrit të ftohtë që ka përfshirë rajonin.

Nga fundjava e parë e prillit moti nis të përmirësohet gradualisht, me më shumë kthjellime dhe rritje temperaturash. Ndërsa pas datave 10-12 prill pritet të rikthehet i ngrohti i vërtetë, me temperatura që mund të arrijnë deri në 26 gradë, duke sjellë më në fund një ndjesi tipike pranverore.

“ Marsi na gënjeu në fillim me temperatura të larta dhe mot të thatë, por na surprizoi me masa të paqëndrueshme ajrore. Fundi i prillit është ai që shënjon tërheqjen e masave të ftohta ajrore. Kjo masë arktike që përfshiu Shqipërinë ishte një anomali por ende mbetemi nën masa të paqëndrueshme. Nesër do të kemi paqëndrueshmëri. E gjithë java do të jetë e paqëndrueshme.

Në pjesën e parë të ditës së martë do të kemi vranësira por gradualisht do të kemi reshje shiu gjatë pasdites që do të jetë me intensitet të ulët. Reshjet do të fillojnë nga jugu i vendit. Reshjet e shiut në jug do të intensifikohen të mërkurën ndërkohë që do të ketë reshje dëbore edhe në verilindje dhe juglindje në lartësitë 1000 metra mbi nivelin e detit.

Pra ajri i ftohtë arktik është prezent mbi gadishullin e Ballkanit dhe do të mbetet aty gjatë gjithë kësaj jave. Temperaturat do të mbeten të ulëta poshtë mesatares së muajit. Fundjava e parë e prillit do të jetë e qëndrueshme. Dita e dielë do të kemi temperatura në rritje dhe kohë me diell. Paqëndrueshmëria e motit do të vazhdojë deri në 10-ditëshin e parë të prillit por temperaturat do të vazhdojnë të rriten.

I ngrohti i vërtetë do të vijë pas datës 10-12 prill. Në këtë periudhë do të aktivizohen masat ajrore të ngrohta nga veriu i Afrikës dhe temperaturat do të shkojnë në 26 gradë. Vranësirat do të mbeten prezentë por pranvera do të ndihet. Muaji prill do të jetë me reshje dhe me temperatura mbi mesatare” tha ajo.

Të Ngjashme