Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Vrasja e Ahmet Krasniqit dhe Azem Hajdarit, pjesë e së njëjtës strategji kundër Shqipërisë e Kosovës”

 
   

Në 27-vjetorin e vrasjes së kolonel Ahmet Krasniqit, analisti Adnan Qaka ka kujtuar me nderim figurën e Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Kosovës në ekzil, duke e cilësuar si hero dhe strateg të luftës çlirimtare. Ai thekson se moszbardhja e këtij krimi mbetet një plagë e hapur për ndërgjegjen kombëtare dhe një njollë e zezë për shtetin shqiptar.

Sipas Qakës, Krasniqi përfaqësonte një linjë që synonte unitetin gjithëshqiptar, ndaj u pa si kërcënim nga qarqe të errëta që punuan për destabilizimin e Shqipërisë dhe sabotimin e luftës në Kosovë. Ai e lidh këtë atentat edhe me vrasjen e Azem Hajdarit, duke i konsideruar pjesë të së njëjtës strategji kundër interesave shqiptare.

Qaka apelon që institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë të kërkojnë drejtësi për Krasniqin, duke e cilësuar këtë jo vetëm si borxh ndaj tij, por edhe si domosdoshmëri për të ardhmen e kombit.

Shkrimi i plotë:

Në 27-vjetorin e vrasjes tinëzare në Tiranë, kujtojmë me nderim dhe dhimbje heroin e Kosovës, strategun e luftës çlirimtare dhe Ministrin e Mbrojtjes të Qeverisë së Kosovës në ekzil, kolonel Ahmet Krasniqin.

Vrasja e tij dhe moszbardhja e saj përbëjnë një njollë të zezë në historinë e shtetit shqiptar dhe një plagë të hapur në ndërgjegjen kombëtare. Kosova i ka borxh ta zbulojë të vërtetën mbi këtë krim të rëndë, për të vendosur drejtësi për një prej bijve më të shquar të saj.

Kolonel Krasniqi u vra në një kohë vendimtare për fatet e luftës në Kosovë. Ai përfaqësonte një linjë ushtarake që synonte unitetin kombëtar dhe bashkëpunimin gjithëshqiptar, dhe për këtë arsye u pa si kërcënim nga qarqe të errëta, të cilat vepronin në prapaskenë për destabilizimin e Shqipërisë dhe sabotimin e luftës çlirimtare të Kosovës.

Nuk mund të shihet i shkëputur nga ky atentat edhe vrasja e deputetit dhe atdhetarit të shquar Azem Hajdari, që gjithashtu ra viktimë e intrigave të ndyra politike dhe shërbimeve të huaja, të cilat, sipas shumë dëshmive, investuan miliona për të sabotuar Shqipërinë dhe për ta ndarë nga Kosova në momentet më të vështira historike.

Viti 1997 solli një krizë të thellë në Shqipëri, me pasoja të mëdha për përgatitjet e luftës në Kosovë. Fraksionet politike dhe grupet e infiltruar nga agjentura serbo-greke punuan në mënyrë sistematike për të minuar çdo përpjekje për bashkim kombëtar dhe për të shuar alternativat e pavarura ushtarake që nuk kontrolloheshin prej tyre.

Ishin këto qarqe që jo vetëm e përçanë spektrin politik dhe ushtarak të kohës, por edhe i bënë dëm të madh interesit kombëtar, duke penguar në shumë forma përpjekjet për çlirimin e Kosovës dhe ndërtimin e një shteti shqiptar të denjë.

Sot, më shumë se kurrë, është detyrë e institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë që të kërkojnë drejtësi për kolonel Ahmet Krasniqin, jo vetëm si një borxh ndaj tij personalisht, por si një akt thelbësor për ndërgjegjen dhe të ardhmen e kombit.

I përjetshëm qoftë kujtimi dhe nderimi për Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi!