Aktuale

Vrasja e Kevinit në Itali, arrestohet emigranti shqiptar

Arrestohet autori i dyshuar për vrasjen e Kevin Muharremit, kapet në autostradën A1

Është arrestuar autori i dyshuar i vrasjes së Kevin Muharremit, i cili u ekzekutua me armë zjarri në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 14 shkurt 2026, në Montecalvoli, provinca e Pizës.

Sipas mediave italiane, në pranga ka rënë një shqiptar, 30 vjeç, bashkëkombas i viktimës, i ndaluar në segmentin e Arezzos në autostradën A1 nga dy patrulla të policisë rrugore të Battifolles. Zyrtarisht nuk është publikuar emri i të dyshuarit.

Atentati në agim

Kevin Muharremi, 25-vjeçari me origjinë shqiptare, banues në Fucecchio (Firence), u vra rreth orës 05:00 të mëngjesit në Via della Repubblica, në Montecalvoli, pjesë e komunës Santa Maria a Monte.

Muharremi ndodhej në sediljen e përparme, në anën e pasagjerit, në një automjet tip Fiat Doblò, së bashku me dy të rinj të tjerë, kur u qëllua me armë zjarri në qafë.

Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, autori i dyshuar ndodhej në një mjet tip SUV, i cili ka afruar makinën ku ndodhej viktima, e ka bllokuar dhe më pas ka qëlluar të paktën tre herë, përpara se të largohej me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Sherri në lokal dhe hetimet

Dyshohet se në origjinë të krimit qëndron një konflikt për motive të dobëta, i ndodhur pak më herët në një lokal në Capanne, në komunën Montopoli Valdarno. Hetuesit po verifikojnë nëse mes dy automjeteve ka pasur ndjekje, apo nëse autori e ka arritur viktimën më vonë në vendin ku ndodhi atentati.

Hetimet po zhvillohen nga karabinierët e komandës provinciale të Pizës, nën drejtimin e prokurorit Fabio Pelosi. Aktualisht po merren në pyetje dëshmitarë dhe po analizohen pamjet e kamerave të sigurisë, përfshirë sistemet e leximit të targave.

Rruga Via della Repubblica qëndroi e mbyllur për disa orë për kryerjen e ekspertizës shkencore dhe veprimeve të mjekut ligjor, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën dhe motivin e vrasjes. /noa.al

Të Ngjashme