Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Arsim Syla, për vrasjen e V.B., në “Interex”, duke e dënuar me 22 vjet burgim.
Në këtë rast, Arsim Syla akuzohej për vrasjen e V.B., më 2023 në “Interex” në Podujevë, në bashkëkryerje me djalin e tij të mitur L.S..
Aktgjykimi u shpall të enjten nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku dhe anëtarët Gent Beka dhe Sulltane Hoti, raporton, Betimi për Drejtësi, transmeton Klankosova.tv.
Sipas gjykatëses Dermaku, Syla është fajtor dhe dënohet me 22 vjet burgim, në të cilin i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë i vazhdohet deri në plotfuqishmëri të aktgjykimit.
E dëmtuara Lirije Sylejmani për realizmin e kërkesës pasurore- juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.
I akuzuari obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë për paushallin gjyqësor 200 euro dhe 50 euro për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Ndryshe, i akuzuari nuk ishte i pranishëm në shpallje.
