
Dy punonjës të Ambasadës së Izraelit në Shtetet e Bashkuara u qëlluan për vdekje të mërkurën në mbrëmje pranë Muzeut Hebraik të Kryeqytetit në Uashington.
Viktimat u identifikuan si Yaron Lischinsky, asistent kërkimor, dhe Sarah Milgrim, e cila organizonte vizita dhe misione diplomatike në Izrael.
Sulmi ndodhi rreth orës 20:30 me kohën lokale, kur katër persona, mes tyre edhe viktimat, po largoheshin nga një aktivitet në muze. Sipas shefes së Policisë Metropolitane, Pamela Smith, autori i dyshuar, Elias Rodriguez, 30 vjeç nga Çikago, u afrua dhe hapi zjarr pa paralajmërim.
Pas të shtënave, Rodriguez hyri në muze dhe u ndalua menjëherë nga sigurimi i ngjarjes. Gjatë arrestimit, ai thirri me zë të lartë: “Palestina e lirë, e lirë”, gjë që ngriti dyshime për motivime politike.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, konfirmoi identitetin e viktimave dhe dënoi aktin si një “akt të pastër urrejtjeje”.
Ish-ambasadori izraelit, Mike Herzog, tha për Radion e Ushtrisë Izraelite se Sarah Milgrim ishte shtetase amerikane, ndërsa Yaron Lischinsky ishte izraelit.
Presidenti amerikan, Donald Trump reagoi në rrjetet sociale të enjten në mëngjes, duke thënë: “Këto vrasje të tmerrshme në Uashington, të bazuara padyshim në antisemitizëm, duhet të marrin fund, TANI! Urrejtja dhe radikalizmi nuk kanë vend në SHBA.”
Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, e cila ndodhej në vendngjarje së bashku me ish-gjyqtaren dhe prokuroren federale, Jeanine Pirro, tha se hetimet po zhvillohen me përkushtim të plotë dhe se drejtësia do të vihet në vend. Zyra e saj do të merret me ndjekjen penale të çështjes, ka raportuar AP.
Policia nuk beson se ekziston një kërcënim i vazhdueshëm për komunitetin.