Ajo e nisi si një mënyrë për ta ndihmuar veten, por sot është kthyer në një mision për të ndihmuar edhe të tjerët. Sara Obërtinca, tashmë trajnere e Jogës, tregon se rrugëtimi i saj me këtë praktikë filloi në një periudhë sfiduese të jetës.
Në një rrëfim për emisionin “LIBERO”, ajo ka treguar se fillimisht e provoi Jogën për ta menaxhuar ankthin dhe stresin, pa e menduar se një ditë do të bëhej instruktore.
“…Kam bërë Joga për vete dhe e kam vërejtur që po më ndihmon mentalisht shumë, sidomos për ankth, për stres…”, ka thënë ajo.
Sipas Obërtincës, përfitimet që ndjeu në gjendjen e saj emocionale e shtynë të mësonte më shumë rreth kësaj praktike dhe më vonë të marrë edhe licencën si instruktore.
“…Unë e kam pa që po më ndihmon dhe mandej kam dashtë me e bo trajnimin dhe me marrë licencën si instruktore, por në fakt nuk e kam pasë qëllim me jap mësim, me u bo instruktore; kam pasë qejf me mësu për vete…”, është shprehur Sara.
Ajo tregoi se një periudhë me ankth dhe sulme paniku e bëri të kërkonte mënyra për ta përmirësuar mirëqenien mendore.
“Kam pasë një fazë sfiduese që kisha panika, ankth. Besoj që secili e ka një fazë pak më sfiduese gjatë jetës së vet. Po më ka ndihmu Joga, sidomos ushtrimet e frymëmarrjes…”, ka rrëfyer Obërtinca.
Vlen ta potencojme se sipas disa studimeve shkencore thuhet se praktika e Jogës mund të ketë ndikim pozitiv në reduktimin e ankthit dhe stresit. Një studim i publikuar (në vitin 2024) në National Library of Medicine ka zbuluar se personat që praktikonin joga për disa javë kishin një ulje të ndjeshme të simptomave të ankthit dhe përmirësim të cilësisë së jetës krahasuar me ata që nuk e praktikonin.
Po ashtu, analiza e disa studimeve klinike ka treguar se kombinimi i ushtrimeve fizike të jogës, teknikave të frymëmarrjes dhe meditimit mund të ndihmojë në uljen e stresit të perceptuar dhe në përmirësimin e mirëqenies mendore te të rriturit.
Për ta dëgjuar intervistën e plotë të Sara Obërtincës, klikoni në linkun e mëposhtëm:
