Lajme

​Vuçiq akuzon Kurtin për bashkimin e partive shqiptare në zgjedhjet në Serbi

Ish-presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se qëndron prapa bashkimit të partive politike shqiptare në Luginën e Preshevës, në prag të zgjedhjeve parlamentare të 25 tetorit në Serbi.

Vuçiq ka shprehur shqetësimin për pjesëmarrjen e përbashkët të subjekteve politike shqiptare në këto zgjedhje, duke pretenduar se bashkimi i tyre synon ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Mund ta shihni tani në zgjedhje atë që askush prej jush nuk e ka vënë re. Për herë të parë, partitë shqiptare janë bashkuar. Për herë të parë, ata po garojnë të gjithë së bashku”, ka deklaruar Vuçiq në një paraqitje televizive.

Ai ka sulmuar edhe kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, i cili prin listën e përbashkët shqiptare.

“Më të keqin dhe më të ligun mes tyre, Shaip Kamberin, e kanë vendosur në krye të listës, ndërsa dy të tjerët në pozitat e dytë dhe të tretë. Pra, të tria partitë janë bashkuar”, ka thënë ai.

Vuçiq ka pretenduar se pas këtij bashkimi qëndron një ndikim i jashtëm, duke përmendur edhe kongresistin amerikan Joe Wilson, të cilin e ka akuzuar se po vepron në interes të shqiptarëve.

“Ata kanë ngritur çështjen e të ashtuquajturës Luginë e Preshevës. Dhe mendojnë ta çojnë këtë çështje në një nivel më të lartë përmes këtij mercenari të tyre, Joe Wilson, të cilin e paguan Bajraktari. Bajraktari është mbështetës i Kurtit dhe e paguan atë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka pretenduar Vuçiq.

Ai ka akuzuar gjithashtu mediat dhe kundërshtarët politikë në Serbi se po u japin hapësirë qëndrimeve të kongresistit amerikan.

Vuçiq ka pretenduar se përfaqësuesit shqiptarë do të shfrytëzojnë lidhjet me politikanë amerikanë dhe evropianë për ta ngritur çështjen e Luginës së Preshevës në nivel ndërkombëtar.

“Përmes tij dhe përmes të tjerëve në Evropë, ata do të përpiqen ta ngrenë çështjen e Luginës së Preshevës. Do t’i presin ambasada të ndryshme këtu, do t’u flasin për gjithçka e për shumë gjëra të tjera”, ka deklaruar ai.

Ish-presidenti serb ka thënë se Beogradi ka investuar në infrastrukturë dhe ka bashkëpunuar me përfaqësuesit lokalë shqiptarë, por sipas tij, këto përpjekje nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Ndërtojmë rrugë, bashkëpunojmë edhe me kryetarin e tyre të Komunës së Bujanocit dhe me të gjithë të tjerët. Unë përpiqem të bëj gjithçka që mundem, por e shihni se kurrë nuk është mjaftueshëm”, ka thënë Vuçiq.

Ai ka përfunduar duke pretenduar se ekziston një faktor i jashtëm që vazhdon ta shtyjë përpara çështjen e shqiptarëve në jug të Serbisë.

“E shihni se ekziston një faktor i jashtëm që do të vazhdojë ta shtyjë këtë çështje përpara. Vetëm mos mendoni se jam budalla”, ka deklaruar Vuçiq.

Bashkimi i subjekteve politike shqiptare në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë është formalizuar më 29 shtator, në një takim të mbajtur në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës.

Përfaqësuesit e 8 subjekteve politike arritën marrëveshje për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të Serbisë përmes listës së përbashkët “Koalicioni Shqiptar”.

Kryeministri Albin Kurti e kishte përshëndetur marrëveshjen, duke falënderuar drejtuesit e subjekteve politike për gatishmërinë për bashkëpunim dhe tejkalimin e dallimeve.

Pretendimet e Vuçiqit për pagesat ndaj kongresistit amerikan dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të Kurtit në veprimtarinë e tij nuk janë të mbështetura me prova në deklaratën e dhënë.

Të Ngjashme