Lajme

Vuçiq largohet nga standardet e BE: Parlamenti serb miraton ligje që dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit

Parlamenti i Serbisë, i kontrolluar nga shumica e presidentit Aleksandar Vuçiq, ka miratuar sot një paketë ligjesh që kufizojnë pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Këto ndryshime ligjore po ngjallin shqetësime serioze, pasi konsiderohen si shkelje e parimit të ndarjes së pushteteve, një nga shtyllat themelore të demokracisë.

Sipas Thomas Brey, lektor në universitete gjermane në fushat e shkencave politike dhe gazetarisë, si dhe ish-korrespondent afatgjatë i agjencisë gjermane të lajmeve dpa, këto zhvillime përbëjnë një hap pas në standardet demokratike të vendit.

Brey thekson se dobësimi i pavarësisë së gjyqësorit rrezikon balancën institucionale dhe forcon më tej pushtetin e ekzekutivit në Serbi, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e parimeve themelore demokratike dhe sundimin e ligjit.

“Ky është një shkelje e qartë e ndarjes së pushteteve, një nga parimet më të rëndësishme të demokracisë”, shkruan ai.

Deputetët e Kuvendit të Serbisë kanë miratuar sot ndryshime dhe plotësime në një paketë ligjesh për sistemin e drejtësisë, të propozuara nga deputeti i Partisë Progresive Serbe (SNS), Ugljesha Mrdiq.

Janë miratuar: Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për selitë dhe juridiksionin e gjykatave dhe prokurorive publike, Ligji për ndryshimet e Ligjit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për organizimin dhe kompetencat e organeve shtetërore për luftën kundër krimit të teknologjisë së lartë, Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Prokurorinë Publike, si dhe propozimi për ndryshimin e Ligjit për gjyqtarët.

 



Të Ngjashme