Serbia ka paralajmëruar se rafineria e saj kryesore e naftës mund të ndalojë funksionimin brenda pak ditësh, teksa SHBA-ja po shqyrton rinovimin e licencës për kompaninë amerikane NIS.
Sipas Vuçiqit, rafineria NIS në Pançevo tashmë operon në një regjim të reduktuar “qarkullimi të nxehtë” dhe pritet të mbyllet plotësisht brenda katër ditësh, nëse Zyra e Kontrollit të Aseteve të Huaja të SHBA-së (OFAC) nuk miraton një përjashtim të ri që do të lejonte vazhdimin e operacioneve pavarësisht sanksioneve ndaj sektorit energjetik rus.
Ai theksoi se rreziku nuk kufizohet vetëm te furnizimi me karburant, duke përmendur mundësinë e vendosjes së sanksioneve dytësore të SHBA-së ndaj Bankës Kombëtare të Serbisë dhe bankave tregtare të vendit.
“Nëse zbatohen sanksione, rrezikojmë një ndalesë të plotë të shërbimeve të pagesave, rënien e transaksioneve me karta dhe ndërprerjen e lëshimit të kredive. Kjo do të rrezikonte bankën qendrore dhe çdo bankë tregtare”, tha ai.
Vuçiq deklaroi se ka marrë “garanci verbale” nga zyrtarë amerikanë se masa bankare nuk do të vendosen para të hënës, por nënvizoi se Serbia tani është duke pritur vendimin e Uashingtonit, citon Anadolu.
“Nëse licenca refuzohet, do të ketë mungesa dhe sistemi shëndetësor do të jetë në rrezik. Ne siguruam furnizime të paktën deri më 15 janar, por pas kësaj gjithçka varet nga vendimi i amerikanëve”, tha ai.
Presidenti paralajmëroi se një mbyllje do të godiste zinxhirët e furnizimit, shpërndarjen e ushqimit dhe madje edhe prodhimin e energjisë elektrike. “Nuk është vetëm nafta. Është e gjithë jeta e Republikës së Serbisë”, tha ai.

