Lajme

​Vuçiq thotë se ka frikë nga aleanca ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se është i shqetësuar nga aleanca ushtarake Kosovë-Shqipëri-Kroaci.

Zhvillimi i marrëdhënieve ushtarake mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës është përfshirë edhe në kampanjë dezinformomi nga Serbia. Për këtë, KosovaPress ka shkruar edhe më parë.

“Nuk ka gjëra të lehta për mua, sigurisht që kam frikë nga një aleancë ushtarake, jam një president që dëshiron që trashëgimia të jetë paqja, jo lufta. Papritur, po shpallet një aleancë ushtarake e Prishtinë-Tiranë-Zagreb. Kam frikë për jetën e çdo qytetari të këtij vendi. Unë duhet të ruaj stabilitetin si president i vendit, i vetmi me legjitimitet të plotë, i vetmi që u zgjodh vërtet, ky është detyrimi dhe detyra ime”, ka thënë ai.

Së fundmi, Serbia është shfaqur si operatore e raketës supersonike të lëshuar nga ajri CM-400 të prodhuar në Kinë. Lidhur me këtë, Vuçiq tha se “unë ju thosha se kemi raketa, kemi gjëra që nuk i tregojmë”.

“Për një vit keni dëgjuar historinë se Serbia nuk do të marrë kurrë një raketë Meteor, dhe ata ndoshta do ta marrin, janë më të mirë dhe më të fortë se ne. Dhe ne heshtim, e them këtë sepse ju jeni shumë të fortë. Dhe pastaj ata u habitën kur panë se kishim raketa, unë po ju thosha se kishim gjëra që nuk i tregojmë. Kjo u fotografua aksidentalisht. Raketat janë tmerrësisht të shtrenjta, morëm një zbritje të vogël, por janë tmerrësisht të shtrenjta. Po flasim për raketa ajër-tokë. I përgëzoj inxhinierët tanë, ata integruan me sukses raketën kineze në avionin luftarak rus MiG-29 dhe këto janë MiG-et më të pajisura në të gjithë Evropën dhe botën. Kjo do të thotë që ju po synoni objektiva në tokë, raketa me fuqi shkatërruese, deri në 200 dhe deri në 400 km larg. Ne kemi një numër të konsiderueshëm raketash dhe do të kemi edhe më shumë. Ato dëshmuan se ishin më të mirat në luftën Indi-Pakistan dhe shkatërruan sistemin e radarit S-400”, tha ai, derisa shtoi se do të vazhdojnë të blejnë edhe të tjera.

Siç tha ai, Serbia nuk do të anëtarësohet në NATO.

“Sa i përket NATO-s, ne kemi marrëdhënie korrekte, nuk do të bashkohemi me NATO-n, ne do të ruajmë neutralitetin. Sa i përket Kroacisë, ata bënë gjithçka për të shkatërruar Serbinë, ata ishin mbështetja kryesore logjistike për shkatërrimin e Serbisë, ata po mbajnë njerëz të dyshuar për krimet më të rënda, ata po kryejnë fushatën më të keqe”, pretendoi Vuçiq. 

Të Ngjashme