Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Wesley Clark konfirmohet si dëshmitar në mbrojtjen e Thaçit

 
   

Gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, do të dëshmojë në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Mbrojtja e Thaçit njoftoi se Clark ka marrë autorizimin nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara për të dëshmuar në mbrojtjen e Thaçit, i cili së bashku me tre ish-eprorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), janë duke u gjykuar për krime lufte në qytetin holandez.

Clark e udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe në vitin 1999.

Fushata e sulmeve të NATO-s, e cila ka zgjatur 11 javë, nisi për ta ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, dhe ajo u ndërpre në qershor të vitit 1999, një ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Gjyqi ndaj Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët i mohojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, po shkon drejt përfundimit.

Clark do të jetë i fundit që do të dëshmojë në të mirë të Thaçit, mbrojtja e të cilit e filloi thirrjen e dëshmitarëve në shtator.

Nuk është e qartë se kur saktësisht do Clark do të ulët në bankën e dëshmitarit të mbrojtjes, por, sipas njoftimit të mbrojtjes, ai ka njoftuar se nuk mund të dëshmojë para 18 apo 19 nëntorit.

Mbrojtja e Thaçit kishte parashikuar paraprakisht se do t’i kryente dëshmitarët deri më 14 nëntor, por gjykata ka lejuar më shumë kohë tashmë. / REL