Lajme

Ymeri: Ndihma e SHBA-ve ndikoi në vendimin e BE-së për të hequr masat ndëshkuese

Heqja e masave ndëshkuese nga Bashkimi Europian ndaj Republikës së Kosovës  pritet të sjellë një kthesë të rëndësishme në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit.

Ky vendim do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e marrëdhënieve me vendet e BE-së, duke hapur rrugë për më shumë investime të huaja, zhvillim të biznesit privat dhe rritje të mirëqenies së qytetarëve, kështu ka vlerësuar Profesori dhe analisti politik Prof. Dr. Eshref Ymeri, në një prononcim për “Bota sot”.

Ymeri ka thënë se heqja e masave ndëshkuese nga BE tregon që Brukseli e kuptoi gabimin e bërë më parë ndaj Kosovës.

Image
Prof. Dr. Eshref Ymeri

Sipas tij, vendimi fillestar ishte i padrejtë dhe favorizonte Serbinë, ndërsa ndryshimi erdhi falë politikanëve më objektivë dhe ndoshta edhe ndikimit të SHBA-ve.

“Heqja e masave ndëshkuese të Bashkimit Europian ndaj Republikës së Dardanisë, dëshmon më së miri se, më në fund, Brukseli i thirri mendjes për padrejtësinë e madhe që pati bërë para tre vjetësh. Me siguri që, në radhët e Bashkimit Europian, duhet të kenë ngritur zërin politikanë me gjykim të ftohtë, objektiv, kundër atij qëndrimi ndaj një vendi të vogël, që, falë popullit dardan, nxori nga gjiri i vet një ushtri me trima luftëtarë, e cila, në bashkëpunim shumë të ngushtë me aviacionin e NATO-s, e çliroi përfundimisht vendin nga agresorët fashistë serbë. Marrja e atij vendimi paradoksal tre vjet më parë, për të dënuar Republikën e Dardanisë me ato masa ndëshkuese, vërtetoi më së miri se Brukseli, pas përfundimit të luftës, qe rreshtuar në anën e Serbisë fashiste. Duhet hamendësuar se për heqjen e atyre masave duhet të ketë ndikuar edhe Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat, në krahasim me Bashkimin Europian, patën përballuar 80% të shpenzimeve ushtarake për bombardimin e Serbisë prej 24 marsit deri në maj të vitit 1999”, ka thënë ai.

Gjithashtu, Ymeri ka theksuar se heqja e masave ndëshkuese do të përmirësojë marrëdhëniet me BE-në dhe do të ndikojë pozitivisht në ekonomi.

“Pa diskutim që heqja e masave ndëshkuese do të ndikojë në zhvillimin e marrëdhënieve me vendet e Bashkimit Europian, gjë që do të reflektohet së tepërmi në gjallërimin me ritme më të shpejta të ekonomisë së vendit përmes investimeve të huaja, do ta nxisë edhe më shumë zhvillimin e biznesit privat, do të krijojë më tepër mundësi për rritjen e mirëqenies së popullit përmes rritjes së pagave dhe uljes së çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Për pasojë, do të hapen më shumë vende pune, çka do të frenojë braktisjen e vendit nga e ana e brezit të ri dhe të mesmë”, ka përfunduar Ymeri.

Të Ngjashme