Aktuale

Zbardhen emrat: Kush janë 7 zyrtarët që akuzohen nga SPAK për favorizimin e Pacollit dhe Ademit në koncesionin e Aeroportit të Vlorës

Zbardhen emrat e shtatë anëtarëve të komisionit të dhënies së koncesionit, që dyshohen se favorizuan bashkimin e shoqërive “Mabco Costruksion”, “Yda Group” dhe “2A Group” për të fituar koncesionin për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, një projekt që tashmë është vënë në pikëpyetje për shkak të përplasjeve gjyqësore mes dy aksionerëve Behgjet Pacolli dhe Valon Ademi.

Bëhet fjalë për shtetasit: Klejda Ngjela, aktualisht sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Brendshme, Teuta Balili, Ervin Duraj, Lilika Radovicka, Edlira Kraja, Aurora Pengu dhe Gezmir Vehbi.

Tashmë Prokuroria e Posaçme iu ka komunikuar akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”, kryer në bashkëpunim.

Kjo pasi, siç thuhet në dosje: “Ka dyshime që anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë favorizuar bashkimin e shoqërive “Mabco Costruksion”, “Yda Group” dhe “2A Group” në kualifikimin dhe në shpalljen fituese të procedurës së koncesionit”.

Hetimet nën dyshimet për paracaktim të garës nisën në 2021 dhe vetëm dy javë më parë SPAK ngriti akuzat e para, ndërsa po vijon hetimet për zyrtarë të tjerë të lartë të dyshuar për implikim në këtë çështje./vna.al

Të Ngjashme