Aktuale

Zbulohen detaje nga vrasja e Renato Hoxhajt në Vlorë: Vrasësi rumun hyri nga Greqia, automjeti Range Rover

Emisioni “Në Shënjestër” me autore Klodiana Lalën publikoi këtë të martë të dhëna të reja nga dosja e vrasjes së Renato Hoxhajt në Vlorë, më 27 prill 2025.

Hetimet e deritanishme zbulojnë se vrasja dyshohet të ketë qenë e porositur nga jashtë vendit. Sipas hetimeve, Hoxhaj u ekzekutua ndërsa po shkonte mëngjesin e 27 prillit për të marrë turnin e tij të rojës në një pallat në ndërtim pranë banesës së tij.

“Mëngjesin e krimit, Renato sapo kishte dalë nga banesa dhe ndërsa po ecte në rrugicën këmbësore u qëllua me armë zjarri, duke humbur jetën menjëherë,” thuhet në dosjen hetimore.

Autori i vrasjes u identifikua si Daniel Cornea, një shtetas rumun me banim në Greqi dhe me rekorde të shumta penale.

Hetimet tregojnë se ai hyri në Shqipëri përmes Greqisë nga pika kufitare e Qafë Botës një javë para krimit dhe u largua po nga e njëjta pikë kalimi kufitar.

Makina që përdori, një Range Rover Sport me targa AB898IH, ishte blerë nga një shtetas shqiptar, Eris Mehmetaj, banues në Tiranë me origjinë nga Bajram Curri, i cili u arrestua një ditë pas ngjarjes për sigurimin e mjetit që përdori Cornea, por me kartën e identitetit të një gruaje me banim në Vlorë.

Sipas të dhënave të dosjes hetimore, vrasja ishte e porositur nga Dubai, megjithatë, ende nuk është e qartë se kush qëndron pas urdhrit dhe motivet e eliminimit të Hoxhajt mbeten të paqarta.

Të Ngjashme