Histori

Zbulohet mjeti më i vjetër prej kocke elefanti në Europë

 
   

Arkeologët kanë zbuluar mjetin më të vjetër të njohur i përbërë prej kocke elefanti në Europë, i cili daton rreth 480 mijë vite më parë dhe është përdorur nga paraardhësit e njeriut për të mprehur sëpata guri.

Artefakti, me formë trekëndore dhe përmasa rreth 11 me 6 centimetra, është gjetur në sitin arkeologjik të Boxgrove, në jug të Anglisë. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Science Advances, mjeti është punuar qëllimisht nga një fragment kocke elefanti dhe është përdorur për rregullimin dhe rimprehjen e veglave prej guri.

Studiuesit theksojnë se gjetja tregon një nivel të lartë zgjuarsie, aftësie teknologjike dhe përshtatjeje të njerëzve arkaikë, të cilët po vendoseshin në klimën më të ftohtë të Europës Veriore. Edhe pse nuk dihet saktësisht se cila specie njerëzore e ka përdorur mjetin, kandidatët kryesorë janë Neandertalët e hershëm ose Homo heidelbergensis.

Artefakti ishte zbuluar që në vitet ’90, por rëndësia e tij u kuptua vetëm pas analizave të fundit, të cilat treguan se kocka ishte punuar dhe përdorur kur ishte ende e freskët, çka dëshmon se krijuesit e saj e njihnin mirë vlerën e materialit.

Sipas studiuesve, përdorimi i kockës së elefantit për këtë qëllim është unik dhe shumë i rrallë, duke e bërë këtë zbulim një nga provat më të rëndësishme për zhvillimin teknologjik të njerëzve të hershëm në Europë.

 
 
 
 

 

Të Ngjashme