Lajme

Zelensky njofton sulme ukrainase ndaj dy rafinerive ruse të naftës në Omsk dhe Ukhta

Forcat ukrainase kanë kryer sulme ndaj dy rafinerive ruse të naftës, në Omsk dhe Ukhta, ka njoftuar të premten presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Sulmet vijnë një ditë pas bombardimeve ruse në rajonin e Donetskut, ku, sipas raportimeve të autoriteteve ukrainase, humbën jetën 35 persona.

Përmes një deklarate në rrjetin social X, Zelensky bëri të ditur se një nga objektivat ishte rafineria në Ukhta, e cila ndodhet rreth 1.900 kilometra larg kufirit të Ukrainës, si dhe një rafineri e rëndësishme në Omsk.

Sipas presidentit ukrainas, për sulmin ndaj objektivit në Ukhta janë përdorur dronë An-196 RS, me rreze veprimi prej rreth 2.500 kilometrash, ndërsa ndaj rafinerisë në Omsk janë përdorur dronë FP-6, modele të modifikuara të dronëve FP-1.

“Ne vazhdojmë t’u përgjigjemi sulmeve ruse ndaj Ukrainës dhe e bëjmë këtë me saktësi të lartë”, ka deklaruar Zelensky, duke shtuar se është goditur edhe një qendër tjetër të dhënash.

Ndërkohë, më 8 tetor, sulmet ruse në rajonin e Donetskut shkaktuan viktima të shumta. Sipas raportimeve, 32 persona u vranë në Kramatorsk, ndërsa tre të tjerë në Bilenke.

Pas sulmeve, transporti publik në qytet u pezullua përkohësisht, ndërsa ekipet e emergjencës zhvillonin operacionet e kërkim-shpëtimit.

Të Ngjashme