Delegacionet ukrainase dhe amerikane po përgatiten të takohen në Gjenevë të enjtën për diskutime që synojnë arritjen e një marrëveshje drejt paqes, ndërsa konflikti në Ukrainë hyn në vitin e tij të pestë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i përshkroi këto bisedime të ardhshme me Shtetet e Bashkuara si pjesë të përgatitjeve për një takim të mundshëm trepalësh që do të përfshinte Rusinë.
Megjithatë ai u shpreh skeptik në lidhje me arritjen e një marrëveshje të mundshme në lidhje me territorin.
“Këtu jemi, por nuk jam i sigurt se do të kemi nesër saktësisht rezultat për tokën, për shembull, për territoret, sepse këtë pyetje e përsëris vazhdimisht, kjo pyetje mendoj se duhet të shkojë në nivelin e udhëheqësve”, tha Zelensky.
Bisedimet u konfirmuan më herët këtë javë edhe nga diplomati amerikan, Steve Witkoff , i cili tha se qëllimi është të eksploronin variante të ndryshme se si mund të arrinim tek një marrëveshje paqeje.
Bisedimet vijnë menjëherë pas një sesioni të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën, ku u miratua një rezolutë që bënte thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, të plotë dhe pa kushte midis Rusisë dhe Ukrainës.
Rezoluta, e paraqitur nga Ukraina dhe e bashkësponsorizuar nga një grup vendesh evropiane dhe të tjera, u miratua me 107 vota pro, 12 kundër dhe 51 abstenime.
Rusia votoi kundër masës, ndërsa Serbia iu bashkua 51 vendeve që abstenuan, duke ruajtur mbështetjen e saj historike për Moskën.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, të cilat gjithashtu abstenuan, propozuan një mocion procedural për ta ndarë rezolutën në vota të veçanta mbi klauzula të caktuara.
