Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zelensky thotë se propozimet e paqes mund t’i paraqiten Rusisë brenda ditësh

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka deklaruar pas bisedimeve me zyrtarë amerikanë se një plan i paqes për t’i dhënë fund luftës gati katër vjeçare me Rusinë mund të finalizohet brenda ditësh.

Plani pritet t’u prezantohet pastaj palës ruse përmes të dërguarve amerikanë, para takimeve të mundshme në SHBA fundjavën e ardhshme.

Zelensky u ka thënë reporterëve të hënën se një draft-plan paqeje i diskutuar me SHBA-në në Berlin është shumë i “realizueshëm”. Ai përmendi megjithatë se disa çështje që kanë të bëjnë me territorin e okupuar ukrainas qëndrojnë të pazgjidhura.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, përsëriti të martën se Rusia dëshiron një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje, jo një armëpushim të përkohshëm.

Nëse Ukraina kërkon “zgjidhje të përkohshme dhe të paqëndrueshme, nuk ka gjasa që ne të jemi të gatshëm të marrim pjesë”, tha Peskov.

Çështja e tokës mbetet një nga pengesat më të vështira për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Putini dëshiron që të gjitha zonat në katër rajone kyçe që forcat e tij kanë pushtuar, si dhe Gadishulli i Krimesë, të cilin Moska e aneksoi në mënyrë të paligjshme në vitin 2014, të njihen si territor rus, shkruan AP.

Ukraina dhe SHBA-të po përgatisin deri në pesë dokumente që lidhen me kuadrin e paqes, disa prej të cilave përqendrohen në siguri, tha Zelenskyy, i cili u shpreh pozitiv në lidhje me përparimin në bisedimet e Berlinit.