Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, është shprehur kundër rritjes së komisioneve parlamentare në legjislaturën e dhjetë.
Ai në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, tha se kjo e rrit koston e shpenzimeve të Kuvendit dhe jo domosdoshmërisht mbikëqyrjen parlamentare.
Zemaj kundër që Kuvendi t’i ketë gjashtëmbëdhjetë komisione
“Kjo vetëm sa e humb rëndësinë e mbikëqyrjes parlamentare. Ne kuptojmë se ka një qeveri më të madhe, sigurisht se ka kosto më të madhe, por mos na bartni këtë edhe te ne në Kuvend. Ndarja e disa komisioneve ishte tepër qesharake edhe në kuptimin funksional… Është për të përmbushur ambiciet e ndonjë individi që të jetë kryetar i komisionit, të rritet kosto e shpenzimeve në Kuvend dhe mos të ketë mbikëqyrje fare ndaj qeverisë”, tha ai.
Me këtë nuk u pajtua kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila tha se ka pasur një pajtueshmëri në kryesi që legjislatura e dhjetë t’i ketë gjashtëmbëdhjetë komisione.
Haxhiu: Të ketë një angazhim të madh të deputetëve në shumë çështje
“Është e rëndësishme që deputetët e Kuvendit të Kosovës të përfshihen në komisionet parlamentare. Të ketë një angazhim të madh të deputetëve në shumë çështje për të cilat kemi përgjegjësi të diskutojmë dhe të marrim vendime”, tha ajo.
