Lajme

Zemaj pas votimit në Kuvendin e LDK-së: Menduam se ndryshimi sillte sukses, por shumica vendosi për Abdixhikun

Deputeti i zgjedhur nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka reaguar pas përfundimit të votimit në Kuvendin e jashtëzakonshëm të partisë, ku u shqyrtua kërkesa për shkarkimin e kryetarit Lumir Abdixhiku.

Zemaj ka bërë të ditur se ai dhe 151 delegatë të tjerë kishin vlerësuar se ndryshimi në krye të partisë ishte i nevojshëm, por shumica e delegatëve vendosën që Abdixhiku të vazhdojë mandatin e tij.

“Sot e patëm një pikë të rendit të ditës, që nuk kaloi. 152 ishin për, 170 kundër shkarkimit. Ky është fati politik i LDK-së. Kemi menduar se ndryshimi sjell sukses, shumica kanë menduar se duhet vazhduar me Abdixhikun. Ky është rezultati”, ka deklaruar Zemaj.

Ai ka theksuar se procesi ishte demokratik dhe se aspekti procedural i organizimit ishte në nivelin e duhur.

“Ky ishte një proces demokratik, rezultati është ai që është. Gjithçka në aspektin procedural ishte mirë e organizuar. Sido që të jetë, ky është rezultati dhe e mira është se gjithçka ishte demokratike dhe jemi të bashkuar, kështu siç po na shihni”, ka thënë Zemaj.

Deputeti i LDK-së ka bërë të ditur se në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë do të diskutohen mundësitë dhe hapat e mëtejmë pas këtij vendimi.

Me këtë rezultat, Lumir Abdixhiku vazhdon të mbetet kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Të Ngjashme