Lajme

Zemaj: Ping-pongu politik VV – PDK mori fund

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka deklaruar që votimi i presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka – Pula, tregon siç thotë ai, se që nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje qenka i pranueshëm një president politik, por kjo sipas tij, nuk lejohej për LDK-në.

“Dje, Kuvendi i Kosovës i dha vendit Presidenten e re, pas një procesi të gjatë me debate, pritje, prapaskena, kushtëzime dhe lojëra politike në stilin e ping-pongut. Por e vërteta, herët a vonë, del në shesh. Dhe dje u shpalosën qartë dy të vërteta politike. E para: për VV-në mund të jetë i pranueshëm një president politik që vjen nga PDK-ja, por jo një president politik që vjen nga LDK-ja. Vetëm nga LDK kërkohej konsensual??”, ka thënë ai.

Më tej Zemaj, ka thënë që vota e VV-së për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara tregon, sipas tij, që kjo parti e ka pranuar ekzistencën e Gjykatës Speciale.

“E dyta: VV votoi për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pra, në praktikë, pranoi edhe vetë ekzistencën dhe juridiksionin e Gjykatës Speciale në Hagë. Këto nuk janë më vetëm debate politike as ndarje ideologjike por janë veprime e votime të regjistruara në Kuvend. Dje, ping-pongu politik VV – PDK mori fund. Votat treguan shumë më tepër se fjalët.”, ka përfunduar Zemaj.

Të Ngjashme