Lajme

​Zgjedhja e presidentit, Murati: Diskutimet do të fillojnë pas përfundimit të prioriteteve të qeverisë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në konferencën për media pas mbledhjes së parë të kabinetit të ri qeveritar ka folur edhe për çështjen e zgjedhjes së presidentit, duke u treguar i rezervuar për emrin e mundshëm, qoftë Vjosa Osmani apo dikush nga familja e komandantit legjendar, Adem Jashari.

Murati: Kryeministri do të fillojë diskutimet me subjektet e tjera për çështjen e zgjedhjes së presidentit apo presidentes

“Po e besoj që e dëgjuat kryeministrin, i cili e përmendi që momentin që i kemi të trajtuara këto tre çështje të para prioritare, konstituimi i Kuvendit, formimi i qeverisë, votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, kryeministri do të fillojë diskutimet me subjektet e tjera në mënyrë që të tejkalohet edhe sfida e radhës që na pret, e që është çështja e zgjedhjes së presidentit apo presidentes”, ka nënvizuar Murati.

Murati, ka folur për miratimin e buxhetit vjetor dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, duke theksuar nevojën për rishikim të buxhetit për shkak të ndryshimeve në strukturën e ministrive dhe dinamiken e punëve që kanë ndodhur që nga hartimi fillestar.

Ai theksoi se rishikimi i buxhetit është i nevojshëm pasi disa ministri janë ndarë ose bashkuar, ka ministra të rinj dhe disa komuna kanë ndryshuar kryetarët, gjë që mund të kërkojë përshtatje për të siguruar efikasitetin dhe përputhshmërinë me situatën aktuale.

Murati: Sa i përket buxhetit siç e dini komisonet parlamentare janë ato që shqyrtojnë projektligje

“Sa i përket buxhetit siç e dini komisionet parlamentare janë ato që shqyrtojnë projektligje dhe nisma tjera, e që pastaj seanca e kuvendit i miraton. Shpresoj që të arrin t’i kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme në mënyrë që sot të kemi ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare si dhe miratimin në lexim të parë edhe të projektligjit të buxhetit. Për marrëveshjet ndërkombëtare nuk ka nevojë për lexim të dytë, hyn në fuqi menjëherë, ndërkaq për buxhetin nevojitet edhe leximi i dytë që po besoj do duhej të ndodhte ditëve në vijim, ndoshta javën e ardhshme, në mënyrë që të procedohet sa më parë, dhe të kemi këtë sigurinë e miratimit apo pasjes së një buxheti vjetor. Sa i përket rishikimit ka disa faktorë që na shtynë të iniciojmë një rishikim dhe kjo nënkupton që fillimisht ka dikastere që janë ndarë, bashkuar apo ka ndryshuar struktura e tyre, një pjesë e ministrie shkoj diku tjetër, një ministri është ndarë në dy apo në forma tjera të riorganizimit, e për më tepër ka edhe ministra që janë të rinj në ato dikastere, që edhe ata kanë nevojë të shohin nëse ka nevojë për ndonjë ndryshim apo përmirësim. E për më tepër po flitet për një buxhet që është dorëzuar në tetor të vitit të kaluar i hartuar qershor e korrik, dhe shtator, pra gjatë vitit të kaluar, ndërkohë mund të ketë pasur edhe ndryshim të dinamikes së punëve dhe mund të përshtatet. Këtu duhet të kemi parasysh se ka edhe komuna që kanë ndryshuar kryetarët e komunave dhe ata besoj se do të kenë nevojën që të shohin nëse ka nevojë për ndonjë ndryshim”, ka shtuar Murati.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se mbledhja e parë e qeverisë së re është përdorur për të miratuar çështjet financiare urgjente, përfshirë një marrëveshje prej 90 milionë eurosh që ka afat skadence nesër.

Murati: Kjo mbledhje në kushte normale do duhej të ishte mbledhje ceremoniale

“Janë synim dhe do të vinë së shpejti. Siç e përmendi edhe kryeministri në fillim të mbledhjes, kjo mbledhje në kushte normale do duhej të ishte mbledhje ceremoniale e fillimit të mandatit të qeverisë. Por, meqenëse kemi disa marrëveshje të cilat kanë pasur afat skadence, pra nesër është skadimi i afatit të marrëveshjes prej 90 milionë eurove, ne është dashur që këtë mbledhje të shfrytëzojmë dhe të miratojmë së paku këto çështjet financiare. Në ndërkohë ministrat e rinj dhe ata që vazhdojnë do të marrin përsipër detyrat në mënyrë që në mbledhjet e radhës të sjellin edhe vendimet që parashihen në ato top pesë vendime, sa më parë që është e mundur. Normalisht që për projektligje ka edhe procedura të konsultimeve që duhet të zhvillohen, por të gjitha këto shpresoj që do të bëhen në afat rekord. Patjetër që do të bëhen”, ka thënë Murati.

Ai foli edhe për planin e rritjes dhe pagesat e para, duke treguar se 7 për qind e vlerës së përgjithshme, ose rreth 62 milionë euro, do të disbursohet menjëherë. Gjysma e kësaj shume do të përdoret për kornizën për Ballkanin Perëndimor, ndërsa gjysma tjetër shkon direkt në thesar si mbështetje buxhetore për Kosovën. Pagesat e tjera do të bëhen sipas dinamikes së zbatimit të reformave të dakorduara.

Murati: Sa i përket planit të rritjes, pagesa e parë parashihet të jetë avanci

“Sa i përket planit të rritjes, pagesa e parë parashihet të jetë avanci, 7 për qind të vlerës së përgjithshme, pra që përkthehet diku tek 62 milionë euro, e siç parashihet në marrëveshje, gjysma e pagesës së disbursuar të parë shkon ën kornizën për Ballkanin Perëndimor investive, ndërkaq gjysma tjetër vjen si mbështetje direkte buxhetore, pra që i bie të derdhet në thesar si mbështetje buxhetore e cila mund të shfrytëzohet në Republikën e Kosovës qysh tani. Ndërkaq pjetet tjera vazhdojnë të lirohen apo disburohen varësisht nga dinamika e zbatimit të reformave që kemi në pakon e reformave të dakorduara”, ka shtuar Murati.

Ndërsa, i pyetur nëse ka zgjidhje të financimit për televizionin publik të Kosovës, RTK, ai ka thënë se këtë çështje do duhej të trajtojë Kuvendi.

Të Ngjashme