Profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, deklaroi se Kosova është në një udhëkryq politik, për shkak të mungesës së konsensusit midis opozitës dhe mazhorancës, një situatë që po përsëritet për herë të dytë brenda një viti.
Ai vëren se pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, mazhoranca fitoi shumicën për të formuar qeverinë, ndërsa opozita pësoi disfatë.
Megjithatë, vendi nuk ka mundësi të zgjedhë presidentin, pasi çështja është në Gjykatën Kushtetuese, ku po intervenojnë aktorë që, sipas tij, mund të dëmtojnë stabilitetin, por gjykata ka treguar integritet historik.

Enver Bytyçi
“Kosova është në udhëkryq sa i përket krijimit të konsensusit politik midis opozitës dhe mazhorancës. Kjo situatë po përsëritet për herë të dytë brenda një viti. Opozita vendosi që ta çonte vendin në zgjedhje të reja kur refuzoi të zgjedhë qeverinë e re pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit të kaluar. U bënë zgjedhje të reja më 28 dhjetor po të vitit të kaluar dhe sovrani votoi që mazhoranca të ketë votat e nevojshme për të formuar institucionet dhe votuar qeverinë e re. Opozita pësoi disfatë.
Dy-tre muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme Kosova ka tashmë institucionet e tjera dhe qeverinë e saj, por nuk ka mundësi të zgjedhë kreun e shtetit. Çështja gjendet në Gjykatën Kushtetuese dhe varet se cili do të jetë vendimi i saj. Shoh se në këtë gjykatë po intervenojnë gjithnjë e më shumë eksponentë të sponsorizuar kundër stabilitetit në Kosovë. Megjithatë nuk mund ta paragjykojmë vendimmarrjen e kësaj gjykate kushtetuese, e cila në përgjithësi ka dëshmuar integritet në vendimet e saj.
Nëse Gjykata Kushtetuese vendos se procesi i zgjedhjes së presidentit të Kosovës do të duhet të vazhdojë edhe për 60 ditë të tjera, atëherë kjo do të thotë se subjektet politike kanë mundësinë për kompromise dhe konsensus. Nëse vendos prerë se deputetët do të jenë të detyruar të marrin pjesë në seancat e zgjedhjes së parlamentit, gjë që nuk besoj se e bën, atëherë presidenti zgjidhet menjëherë dhe emri i tij është tashmë i nominuar, Glauck Konjufca. Por nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të vendimit të presidentes Osmani për shpërndarjen e parlamentit, gjë që do të ishte vrasje e parlamentarizmit, atëherë kjo presidente në të njëjtën ditë do të caktojë datën e zgjedhjeve. Edhe data e zgjedhjeve do të llogaritet në skemën e hakmarrjes në këtë rast. Por çdo akt hakmarrjeje nuk dëmton mazhorancën, dëmton hakmarrësit”, tha ai.
Tutje, Bytyçi thekson se konsensusi politik është i nevojshëm për çështje shtetërore si zgjedhja e presidentit.
Ai potencon se opozita nuk ofroi një kandidat më të mirë se Glauk Konjufca dhe se rezistenca e saj është më shumë për pushtet e krizë artificiale sesa për interesin e shtetit.
“Ju pyesni a është i nevojshëm konsensusi politik! Në një demokraci funksionale konsensusi politik është i nevojshëm jo vetëm për të parandaluar kriza si kjo që u shkaktuar për egot e politikanëve. Ky konsensus është i domosdoshëm për çdo çështje që i shërben Kosovës. Zgjedhja e presidentit është çështje kombëtare dhe shtetërore. Nuk është vetëm atribut i mazhorancës. Opozita në këtë rast mund të kundërshtojë zgjedhjen e një presidenti të pamerituar dhe të paaftë për të kryer detyrën e kreut të shtetit. Në zgjedhjen e Glauck Konjufcës nuk është ky rasti. Do të ishte mirë dhe shumë mirë që opozita të propozonte një kandidaturë më të mirë sesa ajo e Glauck Konjufcës. Dhe nëse nuk do a pranonte mazhoranca, atëherë elektorati do të ndëshkonte mazhorancën, pra Vetëvendosjen. Por opozita nuk paraqiti asnjë kandidaturë që e sfidonte zotin Konjufca. E them me bindje: – Ajo nuk kishte një kandidat më të kompletuar sesa ai.
Në këto kushte duhet thënë se lufta bëhet për pushtet. Pushteti kërkohet përmes bojkotit dhe krijimit të krizave artificiale. Opozita në këtë rast dëshmoi se sillet si mazhorancë. Duket se i thotë mazhorancës, se ju “nuk jeni fitues, jemi ne, megjithëse të gjithë së bashku kanë 43 deputetë, nga 66 që ka mazhoranca bashkë me 9 votat e minoriteteve jo serbe. Bëra këtë analizë për të thënë se nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja sovrani tashmë nuk do të votojë për 50+1 me të cilën zgjidhet kryesia e parlamentit dhe qeveria. Ajo do të votojë për zgjedhjen e presidentit të Republikës. Sinqerisht që nuk do të doja që Vetëvendosja dhe aleatët e saj të kenë më shumë vota sa ç’kanë sot, sepse bëhet mazhorancë me pushtet të madh dhe pushteti i madh peshon më pas te qytetarët e Kosovës. E kemi këtë eksperiencë në Shqipëri, sido që në Shqipëri populli voton dhe Rama numëron votat. Kjo nuk ndodh në Kosovë”, shtoi ai.
Po ashtu, Bytyçi thotë se në mungesë të konsensusit politik, vota e qytetarëve është zgjidhja për të shmangur krizat, ndërsa shumica e deputetëve tregojnë përgjegjësi.
Ai paralajmëron se ndryshimet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli janë të pamundura dhe mund të bllokoheshin nga Lista serbë, duke rrezikuar stabilitetin e shtetit.
“Por cila do të jetë zgjidhja, nëse nuk ka konsensus? Vetëm vota e sovranit, sepse nuk shoh mundësi tjetër që të mos përsëriten krizat në qeverisjen e sistemin politik të Kosovës. Fatmirësisht kjo krizë nuk thellohet në krizë sociale, pra nuk ka tronditur sjelljen e qytetarëve. Megjithatë edhe kjo ka një kufi. Jam i bindur se qëllimi i skenaristëve dhe regjizorëve të këtyre krizave politike ka të bëjë me zgjerimin e krizës në fushën ekonomike e sociale. Pra të krijojë mundësi që të ketë ndonjë konflikt social e ndoshta edhe luftë civile. Bojkoti opozitar e favorizon këtë skenar. Por mesa shoh qytetarët e Kosovës janë të vetëdijshëm dhe nuk po bien në grackën e intrigave politike ballkanike, shqiptare e kosovare.
Sido që të jetë kam një lloj besimi të rezervuar se nëse procesi i zgjedhjes së presidentit vijon, atëherë do ta kemi një president, nëse jo konsensual, së paku të pranuar nga opozita. Këtë besim e mbështes të fakti se shumica e deputetëve të opozitës janë të përgjegjshëm po aq sa ata të mazhorancës për fatin e vendit. Sa i përket ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit nga populli, këtë e shoh të pamundur, derisa për këto ndryshim duhet të votojnë edhe deputetët e Listës Srpska. Ata mund t’i votojnë këto ndryshime, por vetëm me kushtet që përcaktojnë ata. Kushti që ata përcaktojnë është bërë i ditur. Ata duan të përfaqësohen me një zv/president. Më pas do të thonë se do të duan që presidenti dhe zv/presidenti të marrin vendime me konsensusin e tyre. Dhe kështu të krijonin në Kosovë një sistem boshnjak të funksionimit të shtetit. Shkurt që shteti i Kosovës të bllokohej në vendimmarrje ose të merrte vendime sipas diktatit të Beogradit. Mjafton ky fakt që opozita të mos e thellojë më tej krizën politike në vend”, ka përfundoi Bytyçi.
