Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Zgjedhjet e 12 tetorit, Britania e Madhe ndihmon KQZ në sigurinë kibernetike

 
   

Ambasadori britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, deklaroi se vendi i tij po i ofron mbështetje Komisionit Qendror Zgjedhor përmes një projekti kibernetik, për të siguruar integritetin dhe zhvillim e qetë të zgjedhjeve komunale.

Ai gjatë një takimi sot me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi kanë diskutuar mbi përgatitjet për zgjedhjet e së dielës.

“E falënderova atë dhe ekipin e tij për përpjekjet që po bëjnë për t’i bërë këto zgjedhje gjithëpërfshirëse, transparente dhe efikase, dhe theksova rëndësinë që mediat legjitime të kenë mundësinë të vëzhgojnë procesin zgjedhor në përputhje me ligjet e Kosovës”, ka shkruar Hargreaves në rrjetin X.

“Britania e Madhe ka kënaqësinë të mbështesë KQZ-në, nëpërmjet një projekti kibernetik të financuar nga Qeveria britanike, në punën e saj jetësore për të siguruar integritetin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve komunale, ka shtuar ai.

Kujtojmë, presidentja Vjosa Osmani sot vuri theks të veçantë te ndërhyrjet direkte nga Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës.

Osmani ka dënuar ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar, duke bërë thirrje për angazhim të plotë në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor.