Lëvizja Vetëvendosje në ditën e tretë fushatës zgjedhore ka mbajtur sonte tubim me elektoratin në Vushtrri.
Edhe më shumë siguri e më shumë begati e mos lëshoni pe, ishin fjalët e kryetarit, njëherësh kandidatit për kryeministër Albin Kurti në hapje të tubimit.
Ky i fundit ka thënë se pavarësisht sfidave me të cilat janë përballur, ata kanë arritur t’i kanë tejkaluar ato me sukses, teksa u ka bërë thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të votojnë për Lëvizjen Vetëvendosje.
Kurti: Tejkaluam shumë sfida me një mandat, imagjinoni çfarë mund të bëjmë 4 vjet pa kriza
“Në mandatin tonë më shumë se dy vjet gjatë qeverisjes, kemi pasur kriza të njëpasnjëshme dhe situata të jashtëzakonshme. Dhe as vetëm dy vjet nuk i kishim në kushtet normale dhe rezultatet ishin të jashtëzakonshme. Tash imagjinoni se çfarë mund të bëjmë me katër vjet pa kriza, me stabilitet dhe fokus në zhvillim. E kemi tejkaluar suksesshëm pandeminë, krizën energjetike, krizën e inflacionit, edhe sulmet e agresionet terroriste të Serbisë… Prandaj më 28 dhjetor, pasnesër një javë, dilni i madh i vogël, gra e burra, djem e vajza, pleq e plaka, prej moshës 18-vjeç e deri më i moshuari që e keni këtu, 98 a 116-vjeç, votoni VV…”, tha Kurti.
Ai tha po ashtu se gjatë qeverisjes së tij kanë rritur numrin e personave të punësuar, ndërsa papunësia ka shënuar rënie.
Kurti ka thënë se gjatë qeverisjes së drejtuar nga Lëvizja Vetëvendosje do të ketë vazhdim të rritjes ekonomike dhe pagave, teksa shtoi se ka pasur dyfishim të rritjes së qarkullimit të biznesit.
Kurti premton ndihmë për prodhuesit
“Për herë të parë në Kosovë i kemi dy mijë të punësuar nga Azia e largët, Bangladeshi, Filipinet dhe Pakistani…Merreni me mend ka në fabrika inxhinierë nga Turqia e nga Kina, saldues nga Bangladeshi, sepse nuk ka mjaftueshëm fuqi punëtore për rritjen e bizneseve tona qarkullimi i të cilave është ngritur prej 12.5 miliardë në vitin e parë para pandemisë më 2019, në 25 miliardë sivjet. Për të vazhduar me këtë rritje, ne do të ndajmë një miliard euro për prodhuesit”, tha Kurti.
Ai tha se gjatë qeverisjes së ardhshme planifikojnë të investojnë një miliard euro për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe do të hapin fabrikën e municionit dhe prodhimin e dronëve Made in Kosova.

