Lajme

​Zgjedhjet e pjesshme për 5 bashki të Shqipërisë, dorëzohen 13 kandidatura

Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Shqipërisë ka njoftuar se janë dorëzuar gjithsej 13 kandidatura për të garuar për drejtimin e 5 bashkive – Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme më 9 nëntor.

Kandidatët për bashkitë Vlorë dhe Berat i kanë dorëzuar dokumentet në KQZ, ndërsa kandidatët për Tepelenën, Cërrikun dhe Matin i kanë dorëzuar në KZAZ-të përkatëse.

Fushata zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme fillon më 1 nëntor, ndërsa akreditimi i vëzhguesve vendas dhe të huaj do të përfundojë deri më 7 nëntor.

Bashkia Vlorë – 3 kandidatë: Dionis Sota, kandidat i pavarur, i mbështetur edhe nga Partia Demokratike (PD), Brunilda Mersini, e propozuar nga Partia Socialiste (PS), Gjergj Nika, kandidat i pavarur, më parë pjesë e strukturave të PD.

Bashkia Berat – 2 kandidatë: Pavlo Shkarpa, kandidat i pavarur i mbështetur nga PD dhe Ervin Ceca, nënkryetar i bashkisë, propozuar nga PS, aktualisht drejtues i bashkisë pas dorëheqjes së Ervin Demos.

Bashkia Tepelenë – 2 kandidatë: Gabriel Guma, kandidat i pavarur dhe Gramoz Sako, propozuar nga PS.

Bashkia Cërrik – 3 kandidatë: Florenc Doka, propozuar nga PS, aktualisht drejtues i bashkisë pas largimit të Andis Salla dhe Eligert Hima, propozuar nga Partia “Lëvizja Shqipëria Bëhet”, Amarildo Hoxha, kandidat i pavarur i mbështetur nga PD

Bashkia Mat – 3 kandidatë: Altin Bojni, propozuar nga PS, aktualisht drejtues i bashkisë, Eduart Brahilika, kandidat i pavarur i mbështetur nga PD dhe Suzana Pasha, kandidate e pavarur.

Zgjedhjet në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik mbahen për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive.

Tirana nuk do të mbajë zgjedhje të pjesshme më 9 nëntor, pasi Kushtetuesja ka anuluar dekretin e presidentit Bajram Begaj, pasi Erion Veliaj ankimoi shkarkimin e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj u shkarkua nga Këshilli i Ministrave pas kërkesës së Këshillit Bashkiak të Tiranës, me arsyetimin se kishte munguar në punë. Veliaj qëndron në paraburgim prej shkurtit 2025i nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash.



Të Ngjashme