Lajme

Zgjedhjet e reja/ Gara në mes të LVV-së e LDK-së, AAK-ja rrezikon pragun

Pas dështimit për zgjedhjen e Presidentit të ri, është përmendur mundësia për shkuarjen në zgjedhje të reja. Madje, veprimin e parë në këtë drejtim e bëri Presidentja aktuale, Vjosa Osmani.

Pas dështimit të seancës, ajo tentoi shpërndarjen e Kuvendit, por që veprimi i saj ishte paraprirë nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë ka pezulluar këtë vendim deri në një afat të caktuar.

Partitë opozitare duket se i janë ‘gëzuar’ mundësisë për shkuarjen në zgjedhje të reja, si një tentativë të re për pushtet. Madje partitë e vogla që nuk kaluan pragun, një shpresë më shumë për ta për të qenë në Kuvend.

Dardan Molliqaj, kryetar i PSD-së, ka kërkuar madje zgjedhje të reja, duke konfirmuar se PSD do të garojë.

Njohësit e politikës në vend kanë komentuar për ‘Bota sot’ këtë ҫështje.

Tahiraj: Partitë e vogla duhet të mendojnë seriozisht për koalicione me partitë e mëdha, nëse duan të sigurojnë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës

Kështu, analisti politik, Saim Tahiraj, thotë se, siç po shihet, zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës duken të paevitueshme.

Image
Saim Tahiraj

“Zhvillimet e fundit mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit janë një risi politike që pritet të sjellë lëkundje serioze në elektoratin kosovar. Rreshtimi i Vjosa Osmanit mund të ndikojë drejtpërdrejt në balancën politike: rënie të përqindjes së VV-së dhe rritje të LDK-së, nëse ajo vendos të rikthehet aty. Por edhe nëse zgjedh të krijojë një parti të re, është e qartë se një pjesë e ish-elektoratit të LDK-së, që e ndoqi drejt VV-së, mund të rikthehet sërish rreth saj”, vlerëson Tahiraj.

Ai thotë tutje se, partitë më të vogla si AAK dhe Nisma rrezikojnë seriozisht pragun zgjedhor.

“Përpjekja e AAK-së për t’u afruar me BIK-un si një lloj shpëtimi politik mund të rezultojë e kundërta e asaj që synohet. Kjo për arsye se një kthesë e tillë bie ndesh me deklaratat e mëhershme të vetë udhëheqjes së saj. Në një realitet të tillë politik, partitë e vogla duhet të mendojnë seriozisht për koalicione me partitë e mëdha, nëse duan të sigurojnë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës”, vlerëson ai.

Hebibi: Gara kryesore pritet të jetë mes Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës

Po ashtu, këtë ҫështje e ka analizuar edhe veprimtari shqiptar në mërgatë, Dashnim Hebibi.

Image
Dashnim Hebibi

Ai thotë se, situata politike në Kosovë, sidomos në ditët e fundit, duket e mjegullt dhe e mbushur me pasiguri. Kjo gjendje krijon një turbulencë politike që kërkon maturi, përgjegjësi dhe mençuri nga të gjithë akterët politikë.

“Përballë faktorit ndërkombëtar dhe në një kohë kur bota po përjeton tensione të shumta gjeopolitike, çdo fjalë publike duhet të peshohet mirë. Qytetarët e Kosovës tashmë shfaqin shenja zhgënjimi dhe lodhjeje nga përplasjet e vazhdueshme politike. Në këtë realitet, pavarësisht kritikave apo përçarjeve të mundshme, Lëvizja Vetëvendosje duket se vazhdon ta ruajë bazën e saj elektorale. Edhe pse mund të ketë krisje të caktuara në raportet politike, sidomos me Presidenten Vjosa Osmani, politika shpesh është e paparashikueshme dhe zhvillimet mund të ndryshojnë deri në momentet e fundit”, vlerëson ai.

Hebibi thotë se, mbi të gjitha duhet të vihet interesi i shtetit. Situata nuk mund të konsiderohet e qetë kur Kosova ka përballë Serbia, me prani të shtuar ushtarake pranë kufijve. Veçanërisht në rajonin e Lugina e Preshevës, ku ndodhen baza të rëndësishme ushtarake, ndër to edhe baza e njohur e Cepotina. Këto zhvillime kërkojnë vigjilencë dhe unitet të brendshëm politik.

“Partitë politike tradicionale në Kosovë kanë liderë që kanë dhënë kontribut para luftës, gjatë luftës dhe pas saj. Megjithatë, zgjedhjet e fundit treguan qartë realitetin e ri politik dhe nevojën për reforma të brendshme. Partitë duhet të hapen ndaj prurjeve të reja dhe ideve të freskëta, jo të mbeten të përqendruara vetëm në bastionet lokale nga vijnë liderët e tyre. Sa i përket Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ekziston mundësia që ajo ta ruajë elektoratin e saj dhe madje të shënojë një ngritje, sidomos nëse realizohet paralajmërimi për freskimin e partisë. Ndërsa te Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limaj, për momentin nuk shihet ndonjë ndryshim i madh, edhe pse politika gjithmonë lë hapësirë për zhvillime të reja dhe përfshirje të figurave të tjera”, nënvizoi ai.

Ai vlerëson se, në skenën aktuale politike, gara kryesore pritet të jetë mes Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Një faktor që mund ta ndryshojë këtë balancë do të ishte kthimi i liderëve të Partia Demokratike e Kosovës nga Haga, gjë që mund të ndikojë ndjeshëm në konfigurimin e ri politik.

“Nga ana tjetër, koalicioni qeverisës dhe partitë e vogla që janë pjesë e tij, sidomos Partia Guxo, mund të përballen me sfida më të mëdha, pasi tashmë po vërehen edhe pakënaqësi të brendshme. Nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve të reja, pritet një spektakël i vërtetë politik mes Vetëvendosjes dhe LDK-së, veçanërisht nëse Presidentja Vjosa Osmani do të kishte një afrim apo ribashkim politik me LDK-në. Zgjedhjet e reja mund të jenë gjithashtu një mundësi për partitë më të vogla që të rrisin përqindjen e tyre elektorale. Kjo vlen sidomos për AAK-në apo Nismën, të cilat mund të synojnë të kalojnë pragun zgjedhor dhe të forcojnë praninë e tyre në parlament.

Megjithatë, duhet pranuar se popullata është lodhur nga zgjedhjet e shpeshta. Një rol të rëndësishëm në këtë proces mund të luajë edhe diaspora. Nëse mërgata ndodhet në Kosovë gjatë periudhës zgjedhore dhe organizohet një fushatë më dinamike që i përfshin ata, mund të krijohet një energji e re politike”, tha Hebibi për ‘Bota sot’.

Të Ngjashme