Shefja e stafit të presidentes së Kosovës, Learta Hollaj, ka deklaruar se presidentja Vjosa Osmani ka vepruar në përputhje me detyrimet kushtetuese kur ka nxjerrë dekretin përkatës, duke theksuar se mosnxjerrja e tij do të përbënte shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
Sipas saj, presidentja ka zbatuar një obligim kushtetues dhe jo një dëshirë personale.
“Presidentja zbatoi atë që Kushtetuta kërkon. Pra, kreu një detyrim kushtetues e jo një dëshirë. Ajo do ta shkelte Kushtetutën sikur mos ta nxirrte një dekret të tillë”, ka deklaruar Hollaj.
Ajo ka reaguar edhe ndaj kritikave të bëra në adresë të presidentes, duke thënë se akuzat për “verbërim pushteti”, “monarki” apo “arbitraritet” janë të papranueshme.
Hollaj ka theksuar se presidentja Osmani e mirëpret dërgimin e dekretit në Gjykatën Kushtetuese dhe se do të respektojë çdo vendim që do të marrë kjo gjykatë.
“Presidentja vetë ka thënë se e mirëpret dërgimin e këtij dekreti në Gjykatën Kushtetuese dhe se çfarëdo vendimi do ta respektojë”, ka shtuar ajo.
Në fund, Hollaj ka theksuar se në një republikë respektimi i Kushtetutës duhet të jetë parim themelor i institucioneve.
“Në një republikë, zelli për Kushtetutën është detyrë, jo ambicie”, është shprehur ajo.
