Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Zhbllokimi i krizës politike, shtohen zërat për nevojën e koalicionit ndërmjet LVV-së dhe PDK-së

 
   

Ngërçi i krijuar në Kuvendin e Kosovës që nga 15 prilli vetëm sa vjen e thellohet, pasi legjislatura e nëntë nuk arriti të konstituohet as në përpjekjen e sotme.

Tashmë 21 tentimet e dështuara për konstituimin e Kuvendit kanë shtuar zërat për një koalicion të mundshëm qeverisës mes koalicionit të parë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Lëvizjes Vetëvendosje, Alternativës dhe Listës Guxo, dhe partisë së dytë, Partisë Demokratike të Kosovës, si zgjidhje për të zhbllokuar situatën e krijuar, pavarësisht mohimeve të vazhdueshme nga të dyja palët.

Njohës politikë thonë se, pas mesazheve të ndërkombëtarëve dhe takimeve që përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, ka pasur me liderët partiakë, javën e ardhshme mund të ketë lëvizje pozitive drejt zhbllokimit të situatës, duke aluduar në përafrimin mes koalicionit LVV, Anternativa, Guxo dhe PDK-së.

Politologu Albinot Maloku thotë për KP, se një koalicion qeverisës mes këtyre dy partive do të ishte alternativa e duhur për të kapërcyer ngërçin.

Megjithatë, ai kritikon LVV, Alternativa dhe Guxo se qëllimisht deri tani kanë zvarritur formimin e institucioneve të reja, duke mos pasur vullnet të sinqertë për bashkëpunim.

Maloku: Koalicioni në mes LVV dhe PDK do të ishte alternativa për të kapërcyer ngërçin

“I pari pas procesit zgjedhor (Lëvizja Vetëvendosje) nuk ka vullnet të sinqertë. Për rrjedhojë, provon në maksimum të manovrojë me situatat, duke provuar të paraqitet konstruktive vetë LVV-ja dhe të portretizojë palën tjetër si dekonstruktive. Në këtë kontekst, konsideroj se LVV-ja, e cila ka privilegjin të propozojë kreun e Kuvendit dhe të nisë procesin për formimin e qeverisë, mban edhe barrën e këtij stanjacioni që po ndodh. Për pasojë, një koalicion qeverisës pa proces të ri zgjedhor mes të parit (LVV) dhe të dytit (PDK) do të ishte shumë i dobishëm dhe do të mund të fillonte marrjen e obligimeve dhe detyrimeve”, thotë ai.

Ngërçi në Kuvend aktualisht është te formimi i komisionit përkatës për votim të fshehtë, i cili nuk po merr mbështetjen e partive opozitare dhe të Listës Serbe.

Analistja politike, Magbule Shkodra, thotë se zgjidhja më e mirë për të dalë nga kjo situatë është një bashkëpunim më i gjerë politik, duke parashikuar një koalicion mes LVV-së, PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate.

Në të kundërtën, ajo paralajmëron pasoja politike dhe ekonomike për vendin në rast se ngërçi zgjatet edhe më tej.

Shkodra: Javën e ardhshme mund të ketë ndryshime, LVV-ja do t’i afrohet PDK-së dhe Nismës për një qeveri më stabile

“Besoj se ndoshta javën e ardhshme do të ketë disa ndryshime. Shpresoj që të ketë, pasi përndryshe, nëse kështu vazhdon, ne po e humbim një moment të rëndësishëm për Kosovën, i cili përveç pasojave politike do të ketë edhe pasoja ekonomike… Është më mirë që të formohet një qeveri me bazë të gjerë. LDK tashmë ka refuzuar dhe nuk besoj se do të kthehet prapa. Megjithatë, LVV-ja do t’i afrohet PDK-së dhe Nismës për një qeveri më stabile”, deklaron ajo.

Koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, nuk i ka numrat e nevojshëm prej 61 deputetësh për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të formuar qeverinë dhe ka propozuar koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, mirëpo kjo e fundit ka refuzuar një gjë të tillë.

Lideri i LVV-së, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për koalicion qeverisës me Nismën Socialdemokrate që ka tre deputetë në legjislaturë.

Mirëpo, ai ka mohuar vazhdimisht mundësinë e koalicionit qeverisës me PDK-në. Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe nga lidershipi i kësaj të fundit.

Në anën tjetër, që nga 1 maji, koalicioni Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, insistojnë që votimi i kandidates së saj për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, të bëhet me votim të fshehtë, pasi e njëjta dështoi të zgjidhet në këtë pozitë me votim të hapur.

Por partitë e tjera politike e kanë kundërshtuar këtë formë të votimit, duke e cilësuar si kundërkushtetuese dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit, dhe kanë kërkuar ndryshimin e kandidatit për kryeparlamentar.