Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zjarri i merr jetën të moshuarit në Klinë – Po pastronte varrezat kur u përfshi nga flakët

 
   

Veglat e tij të punës mbetën aty ku i kishte lënë.

Kjo është toka ku një 90-vjeçar nga fshati Ujmirë e Klinës humbi jetën ditën e djeshme.

I moshuari ishte duke punuar vetëm, kur rreth orës 11:00 një zjarr i papritur përfshiu parcelën.

Zjarri dyshohet se u bë shkaktar për vdekjen e tij.

Familjarët e pikëlluar nuk pranuan të flasin para kamerës, por treguan se tashmë i ndjeri ishte i vetëm në momentin tragjik.

Shkodran Nikqi, nga Prokuroria e Pejës  shpjegon se si ka ndodhur rasti.

“Gjatë pastrimit të varrezave në fshatin Ujmirë, një person i moshuar, derisa ka qenë duke i pastruar varrezat dhe njëkohësisht mbetjet që kanë mbetur, i ka ndezur dhe, për fat të keq, ka kapur zjarr edhe atë. Gjatë rrugës për në Spitalin e Pejës ka ndërruar jetë. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe njëkohësisht ka pasur dëshmitarë të intervistuar në lidhje me këtë çështje, të cilët kanë treguar rrethanat se si ka ndodhur ky rast. Derisa të marrim raportin e autopsisë, do të konstatohet të gjitha rrethanat se si ka ndodhur ky rast tragjik”, ka thënë Nikqi.

Ndërkaq, Izet Haxhaj, udhëheqës në Shërbimin e Zjarrfiksëve të Klinës, në një përgjigje me shkrim, tha se zjarri ka arritur të lokalizohet shpejt.

Ai shton se personi i lënduar nuk ishte në zjarr në momentin kur ata kanë mbërritur, pasi e kishin larguar bashkëfshatarët.

“Në atë moment kemi parë se ishte duke u djegur bari i thatë dhe në kontakt me banorë na njoftuan se një person ka marrë djegie nga zjarri. Menjëherë kemi reaguar te ai person që ishte i djegur në shkallë të zjarrit të lartë. Personi ishte i shtrirë, mirëpo kishte frymëmarrje. Jemi kujdesur diku 4 minuta për personin e djegur dhe ekipi ka filluar në të njëjtën kohë shuarjen e zjarrit. Pastaj menjëherë në vendngjarje kanë ardhur policia dhe ndihma e parë, ku janë marrë me personin e lënduar duke e dërguar menjëherë në shtëpinë e shëndetit në Klinë”, ka thënë Haxhaj.

Mjekët më pastaj, Haxhaj tregon se konstatuan se i moshuari kishte ndërruar jetë.

Udhëheqësi i Shërbimit të Zjarrfikësve, u bën thirrje qytetarëve që të jenë më të kujdesshëm dhe të mos ndezin zjarre.

“Për gjithë qytetarët, apeli im dhe i gjithë zjarrfikësve është që të kenë kujdes që në asnjë moment të mos ndezin hamullore, bari të thatë, serrnishtë, që në shumicën e rasteve, pa dashje apo me dashje, zjarret po marrin përmasa të mëdha duke shkaktuar dhe duke rrezikuar njerëzit dhe dëme materiale të konsiderueshme”, ka thënë Haxhaj.

Prej dhjetë ditësh, Komuna e Klinës ka mobilizuar dy grupe mobile në mënyrë që t’u dalin në ndihmë qytetarëve, për shkak të numrit të mëdha të zjarreve.