1
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka bërë të ditur se një pjesë e fabrikës së dyshekëve “Comodita” në Gjakovë është përfshirë nga zjarri dhe është djegur tërësisht.
Gjini theksoi se për disa orë me radhë, njësitet e zjarrfikësve, Policia e Kosovës dhe zyrtarët komunalë të emergjencave kanë qenë të angazhuar në shuarjen e flakëve, duke dëshmuar profesionalizëm dhe vetmohim të lartë në përballjen me zjarrin.
Moneytizer Paragrafi 2
Ai rikujtoi se “Comodita” është punëdhënësi më i madh në Gjakovë dhe, si pjesë e Devolli Group, renditet ndër taksapaguesit kryesorë që kontribuojnë në buxhetin e shtetit.
Sipas tij, zjarri paraqet humbje të mëdha jo vetëm për kompaninë, por edhe për qytetin e Gjakovës dhe për Kosovën në përgjithësi.
Moneytizer Paragrafi 4
Gjini shtoi se pronari i kompanisë, Shkëlqim Devolli, pavarësisht dëmeve milionëshe, ka falënderuar të gjitha ekipet për angazhimin e tyre dhe ka shprehur mirënjohje që nga ky incident nuk ka pasur punëtorë të lënduar.
Sipas kryetarit të komunës, edhe pas disa orësh nga shpërthimi i zjarrit, zjarrfikësit kanë vazhduar përpjekjet për të mbrojtur një nga pjesët vitale të procesit të prodhimit, e cila deri më tani nuk është dëmtuar.
Në fund, Gjini theksoi se ditët e para të këtij viti kanë qenë të vështira për Gjakovën, për shkak të situatave emergjente, dhe se institucionet komunale do të angazhohen për sanimin e dëmeve nga vërshimet, si dhe shprehu shpresën që “Comodita” të arrijë të rikuperojë dëmet dhe të rifillojë sa më shpejt procesin e prodhimit.
Ai falënderoi gjithashtu zjarrfikësit nga komunat fqinje për solidaritetin dhe ndihmën e ofruar./Telegrafi

