
Sot, në një ceremoni zyrtare të mbajtur në Camp Bondsteel, u realizua bartja e autoritetit në kuadër të Komandës Rajonale Lindje të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, nga kontingjenti amerikan i 41st Infantry Brigade Combat Team – KFOR 34, te kontingjenti pasardhës, 256th Infantry Brigade Combat Team – KFOR 35.
Njoftimi:
“Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, falënderoi Kolonelin Peter D. Helzer nga Garda Kombëtare e Oregonit për shërbimin e tij të shkëlqyer dhe përkushtimin e trupave amerikane gjatë mandatit në Kosovë, si dhe i uroi mirëseardhje dhe sukses Kolonelit Jonathan D. Lloyd nga Garda Kombëtare e Luizianës në udhëheqjen e kontingjentit të ri.
Në kuadër të ceremonisë, Zotëria i Parë zhvilloi një bisedë të veçantë me Gjeneralmajor Levon E. Cumpton, Zëvendëskomandant i Komandës së Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara për Evropë dhe Afrikë dhe me Komandantin e KFOR, Gjeneralmajor Enrico Barduani.
Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në fushën e mbrojtjes është shtyllë jetike e sigurisë kombëtare dhe e ekzistencës shtetërore të Kosovës. Kjo aleancë strategjike, e ndërtuar mbi besim dhe vlera të përbashkëta, garanton jo vetëm paqen në vend, por edhe rolin e Kosovës si faktor i qëndrueshmërisë në rajon, në përputhje me vizionin transatlantik të ShBA-së në Ballkan”, thuhet në njoftim.