Prokurori Matt Halling, ka thënë se roli i Jakup Krasniqit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) nuk ishte vetëm i një zëdhënësi por ka bërë më shumë.
Ai tha se Jakup Krasniqi ka qenë pjesë e asaj që e quajnë Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale (NPK), raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Ajo që ka bërë është më shumë sesa i përket një zëdhënësi që tregon rolin e tij në kuadër të NPK-së dhe rolin e tij”, tha Halling.
Halling shtoi se provat e shumta e tregojnë rolin që ka pasur Krasniqi, duke përfshirë edhe ato që vetë ai i ka pasqyruar në librin e vet.
“Sa i përket provave kundër Jakup Krasniqit, procesverbali i çështjes është i mbushur me deklarata të tij nxitëse, vendimet e tij që i ka marrë ne rolin e tij në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm dhe provat e shumta që janë gjetur në shtëpinë e tij të cilat konfirmojnë atë që ka shkruar në librat e tij dhe atë që i ka thënë TPNJ-së lidhur me rolin që ka pasur dhe veprimet që i ka bërë”, tha prokurori.
Sipas prokurorit Halling, në librin e tij, Jakup Krasniqi e pranon që ai i ka shkruar rregulloret përkatëse të ushtrisë së bashku me urdhrat për Policinë Ushtarake që të ishte e pamëshirshme ndaj atyre që janë kundërshtarë dhe sabotojnë luftën çlirimtare.
Ai theksoi se Krasniqi ka pasur rol edhe në emërimet zyrtare, e një prej tyre është emërimi i Ahmet Isufit si komandant i Zonës së Karadakut. Tha se Krasniqi e ka mbikëqyrur edhe sektorin ligjor, duke çuar edhe në emërimin e Sokol Dobrunës- i cili, sipas prokurorit, e ka informuar të akuzuarin lidhur me qendrat e ndalimit.
Halling tha se Krasniqi e ka këshilluar Dobrunën se si të fliste me ndërkombëtarët lidhur me disa civilë serbë që ishin rrëmbyer.
Prokurori Halling tha se ishte pjesë e vendimeve të Shtabit të Përgjithshëm dhe jo vetëm përçues i tyre siç pretendon mbrojtja e tij.
