Lajme

Zulfaj: Integrimi gradual duhet të jetë urë drejt anëtarësimit të plotë në BE

Bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor ishin në fokus të diskutimeve në Forumin e Shoqërisë Civile, që po mbahet për herë të parë në Kosovë në kuadër të Procesit të Berlinit, këtë vit nën moton “Prova, jo premtime”.

Në kuadër të forumit, Kryenegociatori i Republikës së Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, mori pjesë në panelin “E ardhmja e Procesit të Berlinit dhe vendi i rajonit në Bashkimin Evropian”, ku diskutoi për të ardhmen e bashkëpunimit rajonal dhe rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së.

Paneli, i moderuar nga gazetarja Ilva Tare, mblodhi edhe Kryenegociatorin e Malit të Zi, Predrag Zenovic, përfaqësuesin e European Stability Initiative, Adnan Cerimagic, si dhe profesorin Gentian Elezi nga Kolegji i Evropës dhe Universiteti i Tiranës.

Gjatë diskutimit, Zulfaj vuri në pah rolin e Procesit të Berlinit në forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe në afrimin e tyre me Bashkimin Evropian. Sipas tij, kjo nismë ka krijuar një platformë të përbashkët për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka trajtuar çështje me rëndësi konkrete për qytetarët, veçanërisht në fushën e mobilitetit dhe konektivitetit.

Ai përshëndeti gjithashtu përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal do të mbetet i rëndësishëm edhe në rast të anëtarësimit të tyre në BE.

Sipas Zulfajt, ritmet e ndryshme të avancimit të vendeve të rajonit nuk duhet të pengojnë bashkëpunimin mes tyre.

Duke folur për konceptin e integrimit gradual në BE, kryenegociatori kosovar theksoi se ky proces duhet të shërbejë si katalizator për përshpejtimin e reformave dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian, dhe jo të shndërrohet në alternativë ndaj anëtarësimit të plotë.

Në përfundim, Zulfaj vuri theksin te nevoja për vazhdimin e bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së, me synim sigurimin e mbështetjes së nevojshme për avancimin e aplikimit të Kosovës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Diskutimi në kuadër të Forumit të Shoqërisë Civile riktheu në vëmendje rëndësinë e Procesit të Berlinit si një mekanizëm për bashkëpunimin rajonal dhe për forcimin e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Të Ngjashme