Lajme

Zulfaj paralajmëron: Nëse shkojmë sërish në zgjedhje, rrezikojmë të humbim 90 milionë euro

Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se mosfunksionalizimi i institucioneve mund të rrezikojë fondet e Kosovës nga Plani i Rritjes së Bashkimit Evropian.

Përmes një reagimi në Facebook, Zulfaj ka thënë se nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje, vendi rrezikon të humbasë fonde të konsiderueshme që lidhen me zbatimin e reformave të përcaktuara në kuadër të Planit të Rritjes.

Sipas tij, për 22 hapa të Planit të Rritjes, në vlerë prej 131.4 milionë eurosh, afati përfundimtar është 31 dhjetori i këtij viti. Zulfaj paralajmëron se pa një Kuvend funksional dhe pa një Qeveri me kapacitet të plotë, Kosova mund të rrezikojë humbjen e afër 90 milionë eurove.

Postim i plotë:

Nëse shkojmë sërish në zgjedhje, do të humbasim sërish fonde nga Plani i Rritjes.

131,4 milionë euro nga 22 hapa të Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar 31 dhjetorin e këtij viti. Pa Kuvend funksional dhe pa Qeveri me kapacitet të plotë, mund të humbim afër 90 milionë euro.

Prandaj, nëse Kuvendi nuk e zgjedh Presidentin sot, vihet në rrezik zbatimi i një pjese të madhe të reformave të Planit të Rritjes.

Projektligjet që ngecën në qershor për shkak të bllokadës në Kuvend, dhe për të cilat pritet te humbim mbi 40 milionë euro, i miratuam sërish në Qeveri, ia dërguam Kuvendit dhe dje kaluan në lexim të parë. Nëse Presidenti nuk zgjedhet sot, edhe këto projektligje nuk shkojnë në lexim të dytë dhe duhet të procedohen nga fillimi, në Qeveri dhe në Kuvend.

Mes tyre është edhe ligji që do t’i mundësonte Kosovës që të bëhet pjesë e SEPA-s (Ligji për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit), që Kuvendi e miratoi në fund të vitit 2024 dhe PDK e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vit jashtë SEPA-s u kushton qytetarëve dhe bizneseve tona rreth 55 milionë euro.

Bllokada është zgjedhje. Opozita ka zgjedhur të bllokojë, dhe koston po ua faturon qytetarëve.

Të Ngjashme