
Ish-deputeti i VV-së, Sali Zyba, ka reaguar pas incidentit të ndodhur së fundmi gjatë festës të maturantëve, duke theksuar se Policia e Kosovës ka vepruar me profesionalizëm dhe nuk ka ushtruar dhunë ndaj asnjërës palë të përfshira.
“Nuk ka pasur asnjë lloj dhune nga Policia e Kosovës. Përkundrazi, ajo ka ndërhyrë për të parandaluar një incident që do të vinte si pasojë e provokimeve që nisën gjatë sfilimit të maturantëve,” ka deklaruar Zyba.
Sipas tij, pamjet filmike dëshmojnë qartë se njëri nga zyrtarët policorë ishte fizikisht i pranishëm në mes të palëve, duke ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe shmangur përshkallëzimin e saj.
Në të njëjtën kohë, Zyba e ka quajtur provokim politik fletarrestin e lëshuar sot nga autoritetet serbe në lidhje me këtë ngjarje. “Ky fletarrest është vetëm një dëshmi më shumë se incidenti ka adresë të qartë: Beogradin,” ka shtuar ai.
Ky reagim vjen në kohën kur tensionet në rajon janë të larta dhe përpjekjet për destabilizim nuk mungojnë, ndërsa autoritetet në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë qetësi dhe maturi nga të gjitha palët.