Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Zyrtarë të Pentagonit në Kiev mes raporteve për plan të ri paqeje

Zyrtarë të lartë të Pentagonit kanë mbërritur në Ukrainë për të “diskutuar përpjekjet për t’i dhënë fund luftës” me Rusinë, tha ushtria amerikane.

Ekipi, i udhëhequr nga Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll, zhvilloi bisedime me kryeministren ukrainase, Yulia Svyrydenko, të enjten në mëngjes. Ata pritet të takohen me Presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, më vonë gjatë ditës.

Të mërkurën filluan të dilnin raportime se SHBA-të dhe Rusia kishin përgatitur një propozim të ri për t’i dhënë fund luftës, duke kërkuar lëshime të mëdha nga Ukraina, duke përfshirë heqjen dorë nga territori dhe tkurrjen dramatike të ushtrisë së saj.

Raportohet se është hartuar nga i dërguari i Presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe i dërguari i posaçëm rus, Kirill Dmitriev.

As Uashingtoni dhe as Moska nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht planin.

Megjithatë, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, shkroi në X se arritja e një “paqeje të qëndrueshme do të kërkojë që të dyja palët të bien dakord për lëshime të vështira, por të nevojshme”.

Ai tha se SHBA-të po konsultoheshin me të dyja palët e konfliktit për të “zhvilluar një listë idesh të mundshme për t’i dhënë fund kësaj lufte”.

Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, paralajmëroi të enjten se që çdo plan të funksionojë, do të duhej të kishte në plan ukrainasit dhe evropianët, ndërsa Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, tha se “ukrainasit nuk duan asnjë formë kapitullimi”, raporton BBC.

Pas takimit me zyrtarët amerikanë, kryeministri i Ukrainës nuk foli për planin e përfolur, por tha se vizita e tyre ofroi “një mundësi për përfaqësuesit e administratës amerikane për të vlerësuar situatën në terren dhe për të parë pasojat e agresionit rus”.