Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka shqiptuar 118 gjoba gjatë muajit korrik ndaj mjeteve të rënda që kanë tejkaluar peshën e lejuar.
Sipas Ministrisë, gjobat arrijnë vlerën e përgjithshme prej 68 mijë e 740 eurosh, prej të cilave 3 mijë e 900 euro u janë shqiptuar personave fizikë, ndërsa 64 mijë e 840 euro personave juridikë, përkatësisht kompanive.
“Kontrollet dhe matjet e peshës së mjeteve të rënda po vazhdojnë në terren nga ekipet e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, me qëllim identifikimin dhe parandalimin e rasteve të tejkalimit të peshës së lejuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Kontrollet po zhvillohen në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e dëmtimit të infrastrukturës rrugore dhe rritjen e sigurisë në trafik.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka falënderuar Policinë e Kosovës për bashkëpunimin, ndërsa u ka bërë thirrje pronarëve të mjeteve dhe kompanive transportuese që t’i respektojnë kufizimet e përcaktuara për peshën.
“Respektimi i këtyre rregullave ndihmon në mbrojtjen e investimeve në infrastrukturën rrugore, parandalimin e dëmtimit të rrugëve dhe rritjen e sigurisë në trafik”, thuhet në njoftim.
