Lajme

​160 zjarre në Shqipëri brenda dy javësh

Në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) u zhvillua mbledhja e Komisionit Teknik Këshillimor, me fokus masat për sezonin e zjarreve, situatën aktuale në vend dhe koordinimin ndërinstitucional.

Takimi u drejtua nga drejtori i Përgjithshëm i AKMC-së, Haki Çako, i cili theksoi se mbledhja zhvillohet në zbatim të Planit Kombëtar për Emergjencat Civile dhe ka si qëllim forcimin e bashkëpunimit mes të gjitha strukturave të mbrojtjes civile.

Çako deklaroi se mbrojtja e jetës, shëndetit, pronës dhe mjedisit mbetet prioriteti kryesor, ndërsa nënvizoi rëndësinë e një menaxhimi sa më efikas të zjarreve dhe të vlerësimit të riskut.

“Ky takim zhvillohet në zbatim të Planit Kombëtar për Emergjencat Civile dhe ka për qëllim koordinimin e të gjitha strukturave të sistemit të mbrojtjes civile për përballimin e sezonit të zjarreve. Prioriteti ynë mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, e shëndetit, e pronës dhe e mjedisit. Është e rëndësishme që të gjitha strukturat të jenë kompakte dhe reaguese për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe turistëve në të gjithë vendin”, u shpreh ai.

Sipas kreut të AKMC-së, nga 22 qershori e deri më sot janë regjistruar 160 zjarre në të gjithë territorin e vendit, prej të cilave 127 raste kanë qenë zjarre në sipërfaqe me bimësi, shkurre, ferra dhe kullota.

Çako bëri të ditur se të gjitha strukturat operacionale të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë dhe disponojnë kapacitetet e nevojshme për të reaguar në kohë reale, falë edhe investimeve të kryera dhe angazhimit të bashkive e prefekturave.

Ai theksoi se koordinimi me Policinë e Shtetit, shërbimin zjarrfikës (MZSH), Urgjencën Kombëtare dhe Forcat e Armatosura është i vazhdueshëm, me qëllim menaxhimin sa më efektiv të çdo vatre zjarri.

“Nga data 22 qershor deri më sot janë regjistruar 160 zjarre në të gjithë territorin e vendit. Nga këto, 127 raste kanë qenë zjarre në sipërfaqe me bimësi, shkurre, ferra dhe kullota. Strukturat kanë reaguar në kohë për izolimin dhe shuarjen e tyre. Të gjitha kapacitetet operacionale të sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë. Falë investimeve të kryera dhe angazhimit të bashkive, prefekturave, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura, shërbimit zjarrfikës dhe Urgjencës Kombëtare, jemi të përgatitur për të menaxhuar çdo situatë”, tha ai.

Megjithatë, Çako nënvizoi se asnjë kapacitet institucional nuk është i mjaftueshëm pa bashkëpunimin e qytetarëve, raporton RTSH.

“Asnjë kapacitet nuk është i mjaftueshëm pa bashkëpunimin e qytetarëve. Sinjalizimi në kohë i çdo vatre zjarri është vendimtar për ndërhyrjen e shpejtë. Vetëm me reagimin e komunitetit dhe koordinimin e të gjitha strukturave mund të minimizojmë dëmet. Objektivi ynë është të garantojmë siguri për qytetarët dhe turistët në të gjithë vendin gjatë sezonit veror. Menaxhimi i zjarreve dhe vlerësimi i riskut do të vijojë hap pas hapi, me monitorim të vazhdueshëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional”, tha Çako.

Të Ngjashme