Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

18 vite heshtje e padrejtësi/ Vëllai i Bardhyl Ajetit me akuza të rënda për LDK-në: E vranë shqipfolësit e shokët e tij

Sot (e diel 25 qershor) janë mbushur 18 vite nga dita e vdekjes së gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajeti.

Bardhyli u plagos pabesisht më 3 qershor të vitit 2005, ndërsa po kthehej nga Prishtina për në shtëpinë e tij në qytetin e Gjilanit.

Për fat të keq Bardhyli nuk arriti që t’u mbijetonte plageëve të rënda që mori në atentatin e tmerrshëm dhe pas disa javësh ndërroi jetë, më 25 qershor të vitit 2005, në një spital në Milano të Italisë, ku ishte dërguar për shërim.

Vrasja e Brdhylit hyn në mesin e shumë vrasjeve e atentateve me motive politike, të cilave nuk u dihen autorët.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ishte asnjëherë në gjendje që të jepte përgjigje se kush qëndron prapa vrasjes së Bardhylit.

Fitim Ajeti, vëllai i gazetarit të ndjerë, Bardhyl Ajeti, ka thënë për gazetën “Bota sot”, e si familjarë është i indinjuar thellësisht me neglizhencën e organeve të drejtësisë lidhur me rastin.

‘Institucionet e drejtësisë në vend, vazhdojnë edhe më tutje të heshtin për rastin, kur duar shtypëse të fjalës së lirë, i morën jetën, një njeriu të pashembullt por edhe një pene briliante në fushën e gazetarisë.

Sot e 18 vite më parë vrasja e vëllait tim nuk është zbardhur ende, vrasësit janë ende të lire dhe bredhin rrugëve e Bardhyli dergjet në varr e nga varri kërkon drejtësi.

Unë si vëlla i vetëm i Bardhylit jam thellësisht i indinjuar, i zemëruar dhe kam humbur totalisht besimin në organet e drejtësisë”, ka thënë Fitim Ajeti për “Bota sot”.

Ai ka rikujtuar se Bardhyli përpos që ishte gazetar, ishte edhe anëtarë i LDK-së e bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova.

Ai është shprehur i habitur se si asnjë anëtar i LDK-së nuk e ka ngritur asnjëherë çështjen e vrasjes së Bardhylit.

“Do të kthehem në kohen kur e vranë Bardhylin, duke e cekur se pushtetin asokohe e kishte LDK-ja dhe nuk e them këtë sa për ta thënë, sepse Bardhyli pos që ishte kolumnist i “Botës Sot” ishte edhe anëtar i LDK së dhe bashkëpunëtor me presidentin e atëhershëm Dr. Ibrahim Rugova.

Si për ironi të rastit asnjë nga anëtarët e LDK-se nuk e ngriti çështjen e zbardhjes së vrasjes së Bardhylit. Ata që dikur i ngriste me shkrimet e tij filluan të heshtin si strucë, e nuk kërkuan kurrë drejtësi për Bardhylin, bile filluan të mos e përmendin fare si hero të fjalës së lirë, por në tubimet e ndryshme përmendnin heronjtë e LNÇ”, ka theksuar ai.

Fitim Ajeti thotë se, Bardhylin e vranë shqipfolësit e shokët e tij, derisa përkrahësit e ideologjisë rugoviane e harruan shpejt.

Bardhylin e vranë shqipfolësit e shokët e tij, përkrahësit e ideologjise rugoviane e harruan shpejt. Ne si familje e Bardhylit nuk do të rreshtim kurrë së kërkuari drejtësi për Bardhylin, të cilin e vranë vetëm se e thoshte të vërtetën.

Qetësi për neve nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë derisa vrasësit të gjinden dhe të dalin para drejtësisë”, ka përfunduar Fitim Ajeti.