Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Endrit Azemit, i cili dyshohet se ka mashtruar qytetarët e Kosovës dhe diasporës, duke pretenduar rrejshëm se vuante nga leukemia akute dhe duke mbledhur afro 190 mijë euro përmes donacioneve.
Sipas njoftimit të Gjykatës, kërkesa e Prokurorisë Themelore në Gjilan për caktimin e paraburgimit është aprovuar, pasi i dyshuari dyshohet për kryerjen e veprës penale të mashtrimit.
Në kërkesën e Prokurorisë thuhet se nga 9 deri më 21 nëntor 2026, i pandehuri, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, dyshohet se ka sajuar situatën se vuante nga leukemia akute, duke prezantuar edhe dokumentacion të falsifikuar nga spitali “Acibadem Altunizade” në Stamboll të Turqisë.
Me pretendimin se kishte nevojë për trajtim mjekësor, ai dyshohet se ka hapur një fushatë në platformën “GoFundMe”, ndërsa familjarët dhe persona të tjerë kanë zhvilluar aktivitete për mbledhjen e parave në qytetin e Gjilanit.
Sipas të dhënave të paraqitura në kërkesën e Prokurorisë, përmes platformës “GoFundMe” janë grumbulluar 162 mijë e 522 euro, ndërsa nga aktivitetet e organizuara në Gjilan janë mbledhur edhe 26 mijë e 684 euro e 80 cent.
Në total, shuma e mbledhur arrin në 189 mijë e 206 euro e 80 cent, shumë për të cilën Prokuroria dyshon se është përfituar përmes mashtrimit të qytetarëve të ndryshëm.
Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke konsideruar se masat e tjera alternative nuk do të ishin të mjaftueshme për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale.
Ndaj këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.
Ndryshe, rasti kishte marrë vëmendje të madhe publike, pasi qytetarë të shumtë, përfshirë edhe pjesëtarë të diasporës, kishin kontribuar financiarisht me shpresën se po ndihmonin në trajtimin e sëmundjes së pretenduar të Endrit Azemit.
