Astrologia Esmeralda Petrela ka dhënë parashikimin astrologjik për 12 shenjat e zodiakut në emisionin “Mes’dritë” në Vizion Plus TV, me moderatore Alma Çelaj. Gjatë bisedës, ajo shpjegoi ndikimin e Hënës në shenjën e Demit dhe nisjen e sezonit të Shigjetarit, një periudhë që sipas saj nxit zgjerimin e horizonteve, edukimin, udhëtimet dhe marrjen e iniciativave të reja.
Sipas Petrelës, Hëna në Dem sjell qetësi, siguri dhe besim, ndërsa afrimi i Hënës së Plotë në Binjakë mund të ndikojë në mënyrën se si njerëzit komunikojnë dhe përjetojnë emocionet. Ja çfarë parashikohet për secilën shenjë:
Dashi – Kjo javë nis me zhvillime pozitive në aspektin financiar. Ditët e para sjellin më shumë stabilitet ekonomik, qetësi dhe fat në çështjet që lidhen me paratë. Me nisjen e sezonit të Shigjetarit, Dashi ndihet në elementin e tij dhe fiton më shumë energji. Gjithashtu, do të ketë mbështetjen e njerëzve që e duan dhe kujdesen për të, madje edhe në mënyra të papritura. Përkrahja do të jetë e dukshme si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë social.
Demi – Me Hënën në shenjën e tij, Demi përjeton një ditë të qetë dhe të favorshme për të mbyllur çështje që kanë mbetur pezull. Nuk do të mjaftohet vetëm me plane dhe mendime, por do të ketë energjinë dhe vullnetin për t’i kthyer ato në realitet. Do të jetë produktiv, i shpejtë në punë dhe i gatshëm për të përballuar detyrat. Gjithashtu, kjo periudhë e bën më të ndjeshëm ndaj njerëzve përreth, ndërsa mund të jetë pranë finalizimit të një çështjeje të rëndësishme që lidhet me sigurinë personale.
Reklamë
Binjakët – Intuita do të jetë pika e tyre më e fortë gjatë kësaj dite. Hëna në Dem i orienton drejt botës së brendshme dhe i ndihmon të kuptojnë më mirë emocionet dhe qëndrimet e të tjerëve, edhe pa pasur nevojë për shumë fjalë. Do të dinë të bëjnë pyetjet e duhura në momentin e duhur dhe të tërheqin vëmendjen. Ndërsa sezoni i Shigjetarit vendos në qendër partneritetin dhe marrëdhëniet në çift, duke sjellë më shumë aktivitete të përbashkëta dhe mundësi për t’u njohur më mirë me njëri-tjetrin.
Gaforrja – Një ditë e favorshme për shoqërinë, komunikimin dhe planet e përbashkëta. Gaforret do të ndihen më të gatshme për të ndarë idetë e tyre me miqtë dhe për të diskutuar mundësinë e udhëtimeve apo projekteve të reja. Sezoni i Shigjetarit do t’i ndihmojë të përqendrohen më shumë te puna, përgjegjësitë dhe rutina e përditshme, duke kërkuar një organizim më të mirë të kohës dhe energjive.
Luani – Për Luanët vjen momenti për të parë rezultatet e përpjekjeve të bëra në punë. Durimi dhe angazhimi i treguar gjatë një periudhe të gjatë mund të marrin vlerësimin e merituar, duke i bërë më të dukshëm në ambientin profesional. Nga ana tjetër, sezoni i Shigjetarit sjell një periudhë të favorshme për dashurinë, romancën, flirtet dhe krijimtarinë. Ata që janë në një lidhje mund të përjetojnë më shumë afërsi dhe momente romantike me partnerin.
Virgjëresha – Kjo ditë i gjen Virgjëreshat me një këndvështrim më të gjerë dhe më vizionar. Hëna në një shenjë toke i nxit të reflektojnë, të filozofjnë dhe të shohin përtej rutinës së zakonshme. Është një moment i përshtatshëm për udhëtime, iniciativa të reja dhe për të guxuar të provojnë gjëra ndryshe, përfshirë receta dhe eksperienca të reja kulinare. Ndërkohë, sezoni i Shigjetarit sjell më shumë vëmendje te shtëpia, familja dhe vendbanimi, duke krijuar nevojën për qetësi dhe stabilitet.
Peshorja – Marrëdhëniet personale marrin një rëndësi të veçantë, ndërsa një lidhje mund të thellohet përmes besimit dhe kënaqësisë që gjeni te njëri-tjetri. Gjatë kësaj dite, Peshorja do të ketë aftësinë të shkojë në thelb të situatave, të analizojë problemet dhe të gjejë zgjidhje për çështje që kanë zgjatur prej kohësh. Kjo qasje do t’i shërbejë edhe karrierës. Sezoni i Shigjetarit favorizon komunikimin, median, informacionin dhe lajmet, duke e bërë këtë periudhë të dobishme për kontakte dhe bashkëpunime të reja.
Akrepi – Qetësia dhe kënaqësia në marrëdhëniet personale do të jenë në plan të parë. Akrepët mund të ndihen më të mbështetur nga partneri ose të përjetojnë zhvillime pozitive në njohjet e reja. Do të kuptojnë se bashkëpunimi me të tjerët i bën më të fortë dhe do të jenë më të hapur për të ndarë përgjegjësitë. Ndërkohë, sezoni i Shigjetarit do të vërë theksin te financat, buxheti, kursimet dhe menaxhimi i shpenzimeve, duke i nxitur të tregohen më të kujdesshëm me ekonominë personale.
Shigjetari – Me Diellin në shenjën e tyre, Shigjetarët hyjnë në periudhën e tyre me energji të shtuar, optimizëm dhe dëshirë për të qenë në qendër të vëmendjes. Do të ndihen më të motivuar dhe do t’i përkushtohen rutinës së përditshme me më shumë kënaqësi. Prania e tyre do të jetë frymëzuese edhe për njerëzit që i rrethojnë, ndërsa sezoni i tyre u jep mundësinë të shfaqin më shumë nga potenciali dhe aftësitë personale.
Bricjapi – Dashuria dhe flirtet sjellin zhvillime interesante për Bricjapët. Gjatë kësaj dite do të jenë më të gatshëm të marrin iniciativa në marrëdhëniet personale, të shprehin ndjenjat dhe të ndërmarrin rreziqe që zakonisht mund t’i shmangin. Megjithatë, sezoni i Shigjetarit është një periudhë më shumë reflektimi dhe tërheqjeje nga ritmi i zakonshëm. Bricjapët do të kenë nevojë të rikuperojnë energjitë dhe të përgatiten për sezonin e tyre.
Ujori – Shtëpia dhe familja do të jenë burimi kryesor i qetësisë dhe ngrohtësisë për Ujorët. Kjo është një ditë e përshtatshme për reflektim, përkujdesje ndaj vetes dhe për t’u shkëputur disi nga zhurma e përditshme. Meditimi, lutja apo aktivitetet që u sjellin paqe të brendshme mund të jenë veçanërisht të dobishme. Ndërkohë, sezoni i Shigjetarit sjell më shumë mundësi për takime shoqërore, ftesa, dalje dhe njohje të reja që mund të rezultojnë të vlefshme edhe në aspektin profesional.
Peshqit – Fjala dhe komunikimi do të jenë armët e tyre më të forta gjatë kësaj dite. Peshqit do të shfaqin ëmbëlsi, mençuri dhe mirëkuptim, duke arritur të qetësojnë situata dhe të ndikojnë pozitivisht te njerëzit përreth. Mungesa e egos dhe mënyra e tyre e butë e komunikimit do t’i ndihmojnë të fitojnë besimin e të tjerëve. Nga ana tjetër, sezoni i Shigjetarit vendos në fokus karrierën dhe suksesin profesional, ku përpjekjet e bëra me planifikim dhe këmbëngulje mund të sjellin rezultate të dukshme.
