Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka marrë pjesë në shënimin e Ditës Botërore të Arkitekturës 2026, organizuar nga Oda e Arkitektëve të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, ajo ka theksuar rëndësinë e arkitekturës në jetën e përditshme dhe ndikimin që ndërtimet e sotme do të kenë te brezat e ardhshëm.
Sipas saj, Kosova ka një traditë arkitekturore që meriton të njihet dhe të vlerësohet, ndërsa arkitektura nuk kufizohet vetëm në projektimin dhe ndërtimin e objekteve, por përcakton edhe hapësirat ku njerëzit jetojnë, punojnë dhe kalojnë një pjesë të madhe të jetës, transmeton “Bota sot”.
Gjatë aktivitetit, Shiroka Pula ka përgëzuar Odën e Arkitektëve për ndarjen e titullit “Anëtar Nderi Post Mortem” për profesorin Bashkim Fehmiu.
Ajo e ka cilësuar Fehmiun si arkitektin e parë të shkolluar në Kosovë dhe një prej figurave që ndihmuan në formësimin e Prishtinës moderne.
“Ai ishte arkitekti i parë i shkolluar në Kosovë dhe një prej njerëzve që ndihmuan në formësimin e Prishtinës moderne. Nga kampusi i Universitetit të Prishtinës, te lagjet Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit, deri te hoteli Grand, veprat e tij janë pjesë e përditshmërisë sonë. Ato tregojnë se si puna dhe vizioni i një arkitekti mund të ndikojnë në zhvillimin dhe pamjen e një qyteti për shumë breza”, është shprehur presidentja.
Ajo ka rikujtuar se mënyra se si ndërtohet sot ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e jetës së brezave të ardhshëm.
