Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK) ka shënuar sot 27-vjetorin e themelimit. Të pranishëm në ceremoni ishin përfaqësues të lartë shtetërorë, përfaqësues të institucioneve korrektuese dhe zyrtarë policorë.
Drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani shprehu mirënjohjen ndaj zyrtarëve korrektues dhe stafit civil.
Dibrani tregoi investimet e bëra në këtë institucion gjatë viteve të fundit, duke theksuar modernizimin e infrastrukturës, investimin në teknologji dhe avancimin e sistemit të sigurisë.
Dibrani tha se janë mbi 400 zyrtarë të rinj në SHKK dhe 5 mijë të burgosur të përfshirë në programe rehabilitimi.
“Kemi investuar në ngritjen profesionale të stafit, me qindra zyrtarë të trajnuar brenda dhe jashtë vendit, si dhe kemi fuqizuar institucionin me mbi 400 zyrtarë të rinj. Kemi themeluar institucionin për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, kemi modernizuar infrastrukturën, kemi investuar në teknologji dhe kemi avancuar sistemin e sigurisë. Mbi 5 000 persona të privuar nga liria janë përfshirë në programe edukative profesionale dhe rehabilituese. Kemi nënshkruar me dhjetëra marrëveshje të bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, duke krijuar mundësi të reja për arsim dhe përgatitje për rikthim në shoqëri”, tha ai.
